Zbulon sekretin, dorëhiqet “kryespiunia” norvegjeze

19/01/2012 15:55

Kryetarja e Shërbimeve Inteligjente të Norvegjisë, Janne Kristiansen, dha dorëheqjen pasi zbuloi një sekret shtetëror në një fjalim të mbajtur në parlament.

Ministrja e Drejtësisë, Grete Faremo, deklaroi përpara gazetarëve se “çdo shkelje e konfidencialitetit është një çështje shumë serioze, sidomos kur kryhet nga udhëheqësi i një institucioni kaq të rëndësishëm shtetëror”.

Sipas të dhënave të medias, Kristiansen zbuloi se agjentë të shërbimeve sekrete ishin duke punuar në Pakistan. Ajo dha dorëheqjen vetën disa orë më vonë pas një takimi me Ministren e Drejtësisë.

Në një përpjekje për të mbuluar dëmin, një komunikatë zyrtare shkruante se Kristiansen kishte arritur në “konkluzione personale të pambështetura në fakte”. Megjithatë, mediat norvegjeze ironizojnë duke e konsideruar si të pamundur që kryetarja e inteligjencës së vendit skandinav të mos ketë patur informacion për atë që tha.

Kristiansen ishte vendosur edhe më parë në qendër të kritikave të shtypit, kur deklaroi se institucioni që ajo drejtonte nuk mbante përgjegjësi dhe se ai nuk kishte mundësi të ndalonte atentatin e çmendur të kryer nga Anders Behring Breivik, i cili vrau 77 civilë dhe plagosi me qindra të tjerë me dy sulme me bombë dhe armë, në korrik 2011.

”Edhe “Stasi” i Gjermanisë Lindore nuk do të kishte qenë në gjendje të ndalonte atë person”, deklaroi atëherë Kristiansen në një televizion kombëtar.

Norvegjia ka 400 trupa në Afganistan si pjesë e koalicionit të NATO-s, por kryetares së PST-së i shpëtoi sekreti shtetëror ndërsa po pyetej për marrëdhëniet me Pakistanin.

Islamabadi zyrtar nuk ka reaguar ende ndaj këtij zbulimi, por është e qartë që qeveria pakistaneze nuk do të mirëpresë punën e agjentëve norvegjezë në vend dhe mund t’i parashtrojë një kërkesë zyrtare Oslos që të tërheqë ose të identifikojë të gjithë informatorët në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA