Politkovskaya, vrasja e gazetares, ende mister

19/01/2012 00:00

Një tjetër e papritur ka dalë në hetimet për vrasjen e gazetares ruse
Anna Politkovskaya. Në armën e krimit, një pistoletë, janë gjetur gjurmë
ADN-je të një gruaje.

Lajmin e ka bërë të ditur Murad Musaev, avokat i një prej të pandehurve, që dyshohet se ka vrarë reporteren në tetor të vitit 2006 në Moskë dhe i arrestuar në maj të 2011-ës në Ceceni.

Megjithatë, kur kanë kaluar pesë vjet nga vrasja e gazetares opozitare, ende nuk është identifikuar personi që urdhëroi ekzekutimin e saj.

Gjithashtu nuk ka asnjë skenar, edhe pse të gjithë janë të bindur se vrasja ka ndodhur për shkak të angazhimit profesional në “Novaya Gazeta”, në faqet e të cilës gazetarja kritikonte Putin.

Në shënjestrën e saj ishin gjithashtu abuzimet e Kadyrov, dhuna e luftës ruso-cecene, korrupsioni i burokratëve, etj. Megjithatë, nga fundi i vitit të kaluar u duk se hetuesit bënë disa hapa përpara.

Ata jo vetëm formalizuan akuzat kundër ish-kolonelit Dmitry Pavliucenkov, i arrestuar gushtin e kaluar, por edhe ndërtuan zinxhirin e përgatitjes së vrasjes, duke arritur në gjurmët e xhaxhait të vrasësit, Lom Ali Gaitukaiev.

Ky i fundit është dëgjuar edhe si dëshmitar në proceset e mëparshme, ndërsa në tetor të vitit të kaluar u mor në Moskë për t’u pyetur në cilësinë e personit nën hetim.

Nga ana tjetër, hetuesit i kanë adresuar ish-zyrtarit të policisë akuzën e pjesëmarrjes në vrasje me pagesë nga ana e një grupi personash, për arsye që lidhen me aktivitetin profesional të gazetares.

Koloneli Pavliucenkov në atë kohë ishte përgjegjës i seksionit të përgjimeve dhe mbikëqyrjeve në policinë e Moskës dhe dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal bashkë me një oficer tjetër, Serghiei Khadzhikurbanov dhe tre vëllezërit cecenë Makhmudov, mes të cilëve Rustam, që dyshohet se është dhe ekzekutori material.

Vëllezërit e tij, Dzhabrail dhe Ibrahim u shfajësuan në gjykatën e shkallës së parë në vitin 2009 bashkë me Khadzhikurbanov, por tani janë përfshirë sërish në hetim.

Top Channel