Kufizime pa orar të energjisë elektrike

19/01/2012 08:20

Në kulmin e temperaturave të ulëta vendi është duke përjetuar kufizime të shpeshta të energjisë elektrike.

Nëse deri dje problemi kryesor ishte mungesa e energjisë elektrike për shkak se nuk prodhohej sa duhet, tani arsyeja është rrjeti i dobët, që nuk mban dot kapacitetin transportues, pasi konsumi ka pësuar rritje të konsiderueshme. Edhe gjatë ditës së djeshme, Operatori i Sistemit të Transmetimit njoftoi për ndërprerje të dritave.

Kompania shtetërore mban përgjegjësi për linjat dhe komandon stakimin e tyre, kurse CEZ është i detyruar t’i përgjigjet kërkesës së OST për kufizimin e detyrueshëm, raporton gazeta “Shqip”.

“Edhe të mërkurën, për shkak të mbingarkesës në nënstacionit të Sharrës, Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kërkuar prej CEZ Shpërndarje të kryejë stakime të alternuara për Kombinatin, Yzberishtin, Ndroqin, Vaqarrin dhe Mëzezin”, – bëri të ditur kompania çeke, CEZ Shpërndarje.

Gjithashtu, mësohet se mbingarkesa e nënstacionit të Sharrës rëndon nënstacionin e Selitës dhe e detyron CEZ Shpërndarje të kryejë ndërprerje të alternuara për Selitën, Saukun, ‘Kodrën e Diellit’, bllokun ‘Vasil Shanto’ dhe ‘Tiranën e Re’. Kufizimet shtrihen edhe në pjesën veriore të vendit, gjithnjë për shkak të rrjetit të dobët.

“Për shkak të mbingarkesës së nënstacionit rajonal 220kv Tirana, të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, do të ketë ndërprerje të alternuara në rrethinat e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës dhe Krujës”, – është një tjetër njoftimin e CEZ-it, për llogari të OST-së.

Mësohet se ndërprerje të alternuara, për shkak të mbingarkesës në linjën 220 kv të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, do të ketë edhe për periferitë dhe fshatrat e Lushnjës, Fierit, Vlorës, Gjirokastrës dhe Sarandës. Pothuajse, gjysma e vendit do të zhytet në errësirë dhe pa orare të sakta.

Burime pranë OST bëjnë të ditur se kufizimet mund të zgjasin deri në 5 orë. CEZ Shpërndarje thekson se ndërprerjet e mësipërme janë si rrjedhojë e mbingarkesës së  rrjetit të Operatorit të Shpërndarjes. Pavarësisht se njoftimet i ka për detyrë t’i bëjë OST, për shkak se kompanisë shtetërore i mungon infrastruktura dhe kultura e njoftimin, këtë funksion e kryen CEZ, me qëllimin e vetëm të sqarojë opinionin publik.

“Kufizimet e fundit kanë ndodhur për shkak të OST-së dhe nuk kanë lidhje me ne, por duke qenë se energjinë e shpërndan CEZ, duket sikur shkaktari është kompania. OST menaxhon linjat dhe çdo problem me transmetimin duhet të zgjidhet duke stakuar energjinë”, – bën të ditur zyra e shtypit pranë CEZ.

Megjithatë, kompania pranon se ndërprerjet janë bërë edhe për shkak të saj, por me plan të paracaktuar dhe orare të sakta. Konsumi i energjisë ka arritur në rreth 25 milionë kilovat orë në ditë, nivel ky tepër i lartë, aq sa dhe linjat e kanë të pamundura ta mbajnë.

Ekspertët e fushës gjykojnë se kjo është një manovër e shtetit për të kursyer energjinë në kohë krize, por vet OST bën të ditur se paralelisht me situatën emergjente, shoqëria po kryen investime të shumta, me mbështetjen e donatorëve, kryesisht në jug të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA