Kinë, vrasësi serial tmerron vendin

19/01/2012 00:00

Ka vrarë 7 persona në shtatë vjet dhe tani mbi kokën e tij është
vendosur një shpërblim prej 2.45 milionë jen, ose 300 mijë euro, më e
larta në historinë e policisë së Kinës.

Vrasësi serial i pamëshirshëm po terrorizon qytetarët dhe autoritetet, të cilat kanë vendosur të zbresin 13 mijë agjentë për të patrulluar ditë e natë qytetin Nankino, ku mendohet se krimineli fshihet.

Mbi të ekzistojnë vetëm dy sekuenca të shkurtra të regjistruara nga një kamera sigurie, ku duket se personi është rreth të dyzetave, me një kapele në kokë dhe me fytyrën të mbuluar nga syzët e diellit.

I panjohuri sapo ka ekzekutuar një burrë dhe i ka rrëmbyer atij 200 mijë jen, ose 24 mijë euro, të cilat viktima i kishte tërhequr nga banka pak minuta më parë.

Sipas hetuesve, vrasësi e kishte pritur punonjësin e një ndërmarrjeje ndërtimi në dalje të bankës, për t’i qëlluar më pas në kokë dhe për t’u larguar me paratë.

Grabitja brutale ka ndodhur rreth një javë më parë në mes të ditës dhe ka vënë në alarm Pekinin, duke qenë se vendi ndodhet në prag të Vitit të Ri dhe në prag zgjedhjesh partiake.

Për të kapur kriminelin e rrezikshëm, autoritetet kanë vendosur mbi kokën e tij shifrën e sipërpërmendur, më e larta e vendosur ndonjëherë në Kinë.

Prej disa javësh ka nisur një gjueti e vërtetë njeriu në provinca të ndryshme kineze, ndërkohë që në Shangai janë shpërndarë fletushka me përshkrimin e të dyshuarit.

Top Channel