Itali, rifillojnë kërkimet në kryqëzorin e fundosur

19/01/2012 16:10

Kanë rifilluar mesditën e së enjtes kërkimet në kryqëzorin e fundosur pranë ishullit italian të Xhilios, pas pothuajse 24 orë ndërprerje, për shkak të lëvizjes së anijes dhe frikës së rrëshqitjes së saj në një gropë detare me thellësi 70 metra.

11 persona janë konfirmuar të vdekur, por mbi 20 të tjerë figurojnë të humbur, pasi “Costa Concordia” u përplas me disa shkëmbinj pranë bregdetit dhe u fundos në ujra të cekët gjatë së shtunës.

Megjithatë, pesë ditë pas aksidentit, drejtuesit e operacionit të kërkimit bëjnë të qartë se nuk ka pothuajse asnjë shpresë që të rikuperohen të mbijetuar të tjerë nga anija pjesërisht e zhytur në ujë.

Në momentin e përplasjes, anija turistike kishte më shumë se 4 200 persona në bord.
”Monitoruam anijen gjatë të gjithë mbrëmjes dhe duket se ajo është e pozicioniar mirë në shtratin e detit. Përsa kohë deti është i qetë, polumbarët mund të rikthehen në zonat e zhytura të anijes”, u shpreh një prej drejtuesve të operacionit në një media italiane.

Ndërkohë, një grup i specializuar anijesh naftëthithëse janë grumbulluar pranë “Costa Concordias”, në gatishmëri për të rikuperuar 2 300 tonët e naftës që ndodhen në serbatorët e anijes, në rast se ndonjë rrjedhje e mundshme do të ndodhë.

Në Itali, vazhdon të tërheqë një vëmendje të madhe mediatike marrja në pyetje e kapitenit Francesco Schettino, i cili së bashku me oficerin e parë të anijes, duket se ishte ndër të parët që braktisi mjetin, duke thyer kështu të gjitha ligjet dhe kodet detare.

Në një komunikatë, kompania që operonte kryqëzorin turistik kërkoi “falje të thellë” ndaj të gjithë të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave, ndërsa pranoi se sipas të gjithave fakteve që janë në dorë, aksidenti duket se është shkaktuar nga një gabim njerëzor.

Në marrjen në pyetje, Schettino duket se ka pranuar fajin për aksidentin, por kundërshton që të ketë braktisur anijen, së bashku me 3 200 pasagjerët dhe mbi 1 000 antarët e ekuipazhit në vështirësi.

”Isha duke lundruar me shikim, sepse e njoh shumë mirë thellësinë në atë rajon. Manovrën që kërkoja të bëja (kalimin pranë bregdetit), e kisha provuar me sukses 3-4 herë më parë. Megjithatë, këtë herë e dhashë me shumë vonesë urdhërin për të kthyer anijen dhe përfunduam në ujra tepër të cekët. Nuk e di përse ndodhi kjo. Unë besoja se isha ende në zonë të sigurt”, u shpreh Schettino rredh aksidentit, sipas rrjetit “Mediaset”.

Aktualisht, kapiteni po mbahet në arrest shtëpie. Mbi të rëndon akuza e vrasjes së shumëfishtë të pavullnetshme, neglizhencës në detyrë dhe braktisjen e një mjeti në vështirësi, akuza për të cilat, në bazë të drejtësisë italiane, rrezikon deri në 15 vjet burgim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA