Itali, 120 miliardë euro të fshehura nga shteti

19/01/2012 19:00

Italianët fshehën nga taksat e shtetit 119,6 miliardë euro gjatë vitit 2009, shkruante të enjten e përditshmja “La Repubblica”.

Shuma është katër herë më e lartë se shkurtimet e paralajmëruara nga Kryeministri i Italisë dhe qeveria teknike e Mario Montit.

Përllogaritjet e gazetës u realizuan duke marrë të dhënat e publikuara përpara pak kohe prej një komisioni të posaçëm qeveritar, i specializuar në hetimin e informalitetit ekonomik dhe nga vlerësimet e sindikatave dhe dhomave të tregëtisë të të gjithë rajoneve të vendit.

Nëse një shumë e tillë do të ishte tatuar nga shteti, atëherë Roma do të kishte nxjerrë 28% më shumë të ardhura nga taksat.

Sipas “La Repubblica”, evazioni fiskal në ekonominë e katërt më të madhe të Europës është më i larti në të gjithë kontinentin, ndërsa shteti humbet nga ky fenomen në mënyrë të përvitshme rreth 50 miliardë euro, pothuajse sa dyfishi i shumës që do të kursejë plani i shkurtimeve në vit.

Jo vetëm kaq, por shteti humbet shuma të mëdha edhe nga punësimet e parregullta të punonjësve, me 15,6% të krahut të punës që punon pa kontrata dhe e paregjistruar.

Vetëm një javë më parë, norma e kreditimit të Italisë u zhvlerësua nga “Standard & Poor”, e cila citoi ekspozimin e madh të vendit ndaj krizës së Eurozonës dhe defiçin e madh buxhetor si arsyet kryesore të vendimit të saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA