Irani: Nuk do ta sulmojmë Izraelin

19/01/2012 00:00

Ministri i Jashtëm iranian, Ali Akbar Salehi ka deklaruar se Irani nuk
ka ndërmend të sulmojë Izraelin dhe ka thënë se shpreson që Turqia të
mos kthehet në instrument sulmi kundër Teheranit.

Duke folur për televizionin turk NTV, ministri i është referuar sistemit anti-raketë të NATO-s që po vendoset edhe në Turqi, ku ai ndodhet në një vizitë që prej ditës së djeshme.

Më tej, Saleh ka paralajmëruar rrezikun që vjen nga një sulm i mundshëm në ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se sanksionet perëndimore ndaj programit bërthamor janë të kota.

“Të kryesh një sulm në ngushticën e Hormuzit nuk krijon avantazhe për asnjë vend”, ka thënë shefi i diplomacisë iraniane nga Ankaraja.

“Politikat e cmimeve dhe ndëshkimeve të aplikuara nga Amerika ndaj vendeve të tjera nuk kanë efekt mbi Iranin”, ka shtuar Salehi gjatë intervistës televizive.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur tej mase kohët e fundit, pas deklaratës së Teheranit se si përgjigje ndaj sanksioneve do të bllokonte ngushticën e Hormuzit, ku kalon pjesa më e madhe e naftës.

Kjo deklaratë bëri që administrata amerikane të reagonte duke paralajmëruar me operacione ushtarake në ngushticën në fjalë, nëse qeveria iraniane do ta aplikonte këtë masë.

Gjithashtu, një tjetër ngjarje që ka acaruar marrëdhëniet mes dy vendeve është vrasja e një shkencëtari të lëndëve bërthamore, për të cilën Teherani fajëson SHBA dhe Izraelin.

Nga ana e tyre, këto dy të fundit kanë hedhur poshtë akuzat duke deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen e shkencëtarit, i cili u hodh në erë kur hipi në makinën e tij.

Top Channel