Një zjarr ka rënë në nënstacionin e vjetër elektrik në Gjirokastër, duke shkaktuar dëme që kanë lënë pa energji një pjesë të qytetit dhe komunat përreth.
Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave nga zjarri ka djegur 11 kabllo që furnizojnë disa komuna të qarkut jugor.
Sipas burimeve, komunat që kanë mbetur pa energji janë Dropulli, Lunxhëria, Antigonea, si dhe disa të tjera.
Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, nëse ai ka qenë i qëllimshëm apo jo, por specialistët po punojnë për riparimin e dëmeve të shkaktuara.
Një ditë më parë një zjarr i fuqishëm përfshiu shkollën 9-vjeçare në fshatin Kolajkaj të Lezhës, e cila u shkrumbua totalisht. Shkolla dykatëshe, e cila mban emrin Mark Doçi, mori flakë fatmirësisht jo në kohën kur atje ndodheshin fëmijët.
Zjarrfikësit mbërritën menjëherë, por pak mjete mundën të shpëtonin nga godina, çatia, e së cilës u shemb e gjitha, ndërsa klasat u shkrumbuan.
Edhe më herët fëmijët e fshatit Koljakaj përballeshin me shumë vështirësi në shkollën e tyre, e cila tani u shkrumbua komplet nga flakët.
Ndërsa më herët gjatë muajit, banesa e një të moshuari në katin e parë të një pallati në lagjen Xhabiej të Shkodrës u përfshi nga flakët.
Për pasojë, i moshuari Qazim Qandia, 70 vjec, i cili jetonte vetëm, mori disa plagë djegieje dhe u shtrua në spitalin rajonal të Shkodrës. Zjarri ra nga një bombul gazi që përdorej për gatim nga ana e të moshuarit.
Ajo mori flakë dhe zjarri dëmtoi rëndë banesën. Ndërhyrja e repartit zjarrfiksës bëri të mundur që të shpëtohen nga djegia dhomat e tjera të shtepisë.
Top Channel