Një ish-funksionar i qeverisë britanike ka pranuar se Britania ishte kapur në flagrancë duke përgjuar Rusinë, kur autoritetet e këtij vendi ekspozuan një gur të rremë të vendosur në Moskë, brenda të cilit ishte fshehur një pajisje elektronike.
Rusia ngriti dyshimet e saj në janar të vitit 2006, por kjo është e para herë që dikush nga zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar i ka konfirmuar ato.
Jonathan Powell, atëherë shef i personelit të kryeministrit Tony Blair, tha për BBC se ngjarja shkaktoi një siklet të madh.
“Është e qartë që ata kishin kohë që e dinin. Por po e ruanin për ta përdorur për qëllime politike”, deklaroi Powell duke iu referuar rusëve.
Historia u transmetua për herë të parë në një televizion rus, që shfaqi një dokumentar që tregonte se si guri i madh përmbante një pajisje elektronike dhe ishte përdorur nga diplomatët britanikë për të marrë dhe dhënë informacione.
Pamjet tregonin një burrë që ecte përgjatë një trotuari në Moskë, i cili ngadalësonte hapat, fiksonte gurin dhe më pas rifillonte ecjen me hapa normalë. Ndërsa pamje të tjera tregonin më pas një person që merrte gurin.
Shërbimi rus i sigurisë, FSB, e lidhi gurin me dyshimet se shërbimet sekrete britanike po mbështesnin financiarisht grupe pro-demokratike dhe pro-të drejtave të njeriut në Rusi.
Pak kohë pas zbulimit, presidenti i atëhershëm Vladimir Putin paraqiti një ligj që kufizonte organizatat joqeveritare në marrjen e fondeve nga qeveritë e huaja. Për pasojë, shumë prej tyre u mbyllën.
Top Channel