David Beckham do të qëndrojë në Los Angeles. Mesfushori anglez ka rinovuar kontratën me Galaxy për të luajtur edhe dy vite të tjera në Major League Soccer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kam pasur oferta nga klube të ndryshme, por kam vendosur të luaj edhe për dy vite me Los Angeles Galaxy. Në SHBA futbolli po bëhet gjithnjë e më shumë popullor dhe unë dua të qëndroj për të ndihmuar në rritjen e mëtejshme të tij. Unë dhe familja jemi shumë mirë në Los Angeles”, është shprehur 36-vjeçari.
“Jam i kënaqur që David ka vendosur të qëndrojë me ne pavarësisht ofertave që ka pasur nga klube të njohura europiane. Ishte përcaktues në triumfin e sezonit të kaluar dhe tani duam të përsërisim atë sukses”, ka thënë nga ana e tij trajneri i Galaxy, Bruce Arena.
David Beckham luan për Los Angeles Galaxy që nga viti 2007 dhe sezonin e kaluar fitoi kampionatin amerikan.
Top Channel