Afganistan, atentat në aeroportin e Kandaharit

19/01/2012 00:00

Të paktën gjashtë civilë janë vrarë në një sulm vetëvrasës në aeroportin
ndërkombëtar të qytetit të Kandaharit, në jug të Afganistanit.

Sulmi ka ndodhur jashtë perimetrit të aeroportit, ku mijëra trupa të huaja kanë bazat e tyre. Autoritetet thonë se ato ishin pikërisht objektivi i sulmit, edhe pse asnjë nga trupat e NATO-s nuk ka mbetur i vrarë.

Sulmet e fundit kanë cënuar paqen relative në Kandahar, që shihet si shtëpia shpirtërore e talebanëve. Më herët gjatë muajit një seri shpërthimesh vranë të paktën 12 persona në këtë qytet.

Analistët deklarojnë se bombat kanë vënë në dukje situatën e brishtë të sigurisë në Kandahar, që është gjithashtu qyteti i lindjes së presidentit Hamid Karzai.

Autoritetet deklarojnë se sulmi i së enjtes kishte si qëllim të godiste ushtarët e NATO-s të vendosur pranë pistës ajrore.

“Atentatori mbërriti në këmbë dhe u përpoq të afrohej tek porta e aeroportit. Më pas e hodhi veten në erë”, tregon Abdul Razaq, shef i policisë në provincën e Kandaharit për “Associated Press”.

Ndërsa një zëdhënës i NATO-s, i cituar nga agjencia e lajmeve “AFP”, thotë se sulmi është kryer me një autobombë.

Trupat e koalicionit ndërkombëtar ndodhen në Afganistan prej më shumë se një dekade. Vitin e kaluar presidenti amerikan Barack Obama njoftoi se dhjetra mijëra trupa amerikane do të tërhiqeshin brenda vitit 2013, ndërkohë 68 mijë do të qendronin.

Por përvec atentateve, Afganistani është tronditur së fundmi nga disa ngjarje shokuese, skandali i ushtarëve amerikanë që urinonin mbi kufomat dhe skandali i atyre britanikë që kryenin akte pedofilie me adoleshentët afganë.

Komanda e NATO-s në Kabul ndërhyri lidhur me cështjen e britanikëve duke deklaruar se ka nisur një proces hetimor për verifikimin e fakteve dhe se nëse do të rezultojë e vërtetë, ngjarja do t’i kalojë drejtësisë ushtarake.

Edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, përvec se shprehu keqardhje të thellë për veprimin e marinsave, premtoi gjithashtu një hetim të plotë mbi skandalin dhe ndëshkimin e autorëve.

Top Channel