“Skënderbeu” në Kinema Imperial

18/01/2012 00:00

Në 17 janar, ditën e 544-vjetorit të ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, është shfaqur në Kinema Imperial premiera e dokumentarit “Skënderbeu”, me regji dhe skenar të regjisorit, Vladimir Prifti.

Fotografia Erjon Muharremi, montazhi Blerina Muharremi dhe muzika nga Aleksandër Peci. Një prodhim i Top Channel dhe “Eurofilm”. Dokumentari është i ndarë në dy pjesë: Principata e Kastrioteve, Shteti dhe Simbolet. Për rrëfimin e fakteve janë angazhuar aktorë dhe historianë.

“Këta historianë e marrin faktin dhe e përpunojnë në gojën e tyre, dmth ecin duke e pasuar drejt njëri-tjetrit. Në momentin që futen vepra të mëdha, sic është vepra e Barletit apo Dhimitër Frangut, apo vepra të tjera të viteve të mëvonshme, atëherë aktorët fillojnë dhe interpretojnë këto pjesë. Duke e trajtuar në këtë formë dhe duke futur cdo moment, dokumente dhe vende veprimi, them që vepra nga një vend i mbyllur, sic është muzeu, lëvizi dhe u gjërësua në vende të tjera veprimi”, thotë regjisori dhe skenaristi, Vladimir Prifti.

Historianët dhe aktorët janë emra të njohur të fushave përkatëse si Pëllumb Xhufi, Luan  Malltezi, Pranvera Bogdani, Moikom Zeqo, Sokol Angjeli, Roza Anangnosti, dhe Fatos Sela.

“Skënderbeu është një vepër pak e vështirë për t’u trajtuar në një film dokumentar, por ndjej që nga jehona është pëlqyer nga njerëzit, një film që të shkojë 2 orë e 10 minuta në një kinema dhe asnjë të mos lëvizë, është një kënaqësi e madhe për mua”, thotë më tej regjisori Prifti.

Ky dokumentar do të shfaqet së shpejti në ekranin e Top Channel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB