Rusia rikonfirmon mbështetjen për Iranin

18/01/2012 16:05

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, paralajmëroi edhe një herë perëndimin për pasojat shkatërrimtare që mund të ketë një luftë me Iranin.

Në një prononcim të mërkurën, Lavrov foli për rrezikun e miliona refugjatëve, ndërsa konsideroi se një ndërhyrje në vendin me 75 milionë banorë do t’i “vinte zjarrin” të gjithë Lindjes së Mesme.

Më parë gjatë ditës, Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Ehud Barak, theksoi se një sulm ndaj Iranit është një mundësi e largët për momentin, por që nuk mund të përjashtohet tërësisht.

Gjithashtu të mërkurën, Ministri i Jashtëm i Iranit, Ali Akbar Salehi, tha gjatë një vizite në Turqi se Stambolli është vendi më i preferuar për një takim me përfaqësues ndërkombëtarë, për të biseduar rreth programit bërthamor të vendit të tij.

Sidoqoftë, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, theksoi se nuk ka asnjë plan konkret për takime të këtij lloji, ndërsa kujtoi se Teherani duhet ende t’i përgjigjet një letre të baroneshës Ashton, në të cilën kryediplomatja e BE-së i bën thirrje për uljen në tryezën e negociatave.

Përpara se Lavrov të rikonfirmonte qëndrimin e vendosur të Moskës zyrtare, zëvendësi i tij, Gennady Gatilov, paralajmëroi se çdo nismë për të vendosur sanksione të reja ndaj Teheranit në OKB, do të hidhej poshtë nëpërmjet vetos ruse.

Irani u përfshi në bisedime me gjashtë superfuqitë botërore në fillim të 2011-s, kur përfaqësues të shtetit aziatik u takuan me diplomatë të SHBA-së, Kinës, Rusisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë. Megjithatë, bisedimet nuk sollën asnjë rezultat të rëndësishëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA