
Dy vjet nga vizita në Tiranë e presidentit të UEFA-s, Mishel Platini si dhe trumbetimit të qeverisë për përfundimin e stadiumit të ri kombëtar, punimet për impiantin modern as që kanë nisur.
Burokracitë e tejzgjatura dhe mungesa e fondeve kanë bërë që arena e re e kryeqytetit, të mbetet vetëm në letër. Madje në vitin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, zor se do të vihet guri i parë i fillimit të punimeve.
“Stadiumi nuk është më pronë e jona, por është krijuar një shoqëri aksionere ku pjesën dërmuese të aksioneve e ka FSHF. Ne jemi aksioner në ¼ e saj. Ky është një projekt që po shkon drejt përfundimit. Qeveria shqiptare dha një fond, prej rreth 300 milion fondesh të reja, të cilat do të viheshin në dispozicion të ndërtimit të stadiumit të ri, por sigurisht që duhet një fond shumë më i madh. Në këtë situatë ekonomike botërore mendoj që është bërë më e vështirë për këdo për të siguruar fonde. Donatorë të mundshëm që më parë mund të ishin të gatshëm, tani janë më të kujdesshëm në dhënien e fondeve. Kjo mendoj është një nga arsyet kryesore se përse stadiumi nuk filloi ndërtimin në këtë vit. Megjithatë mendoj që është një projekt që nuk do të ndalet, por nëse do të ndërtohet këtë vit apo vitin e ardhshëm kjo është jashtë vullnetit tonë”, deklaroi Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumci, sqaroi se 300 milion lekë të reja që janë dhënë nga ekzekutivi shqiptar, janë shumë pak për ndërtimin e një stadiumi të standardit elitë. Vonesa e punimeve sipas ministrit Bumci, kanë si shkak krizën ekonomike botërore.
Qeveria shqiptare është aksionere në shoqatën e krijuar për stadiumin “Kuqezi”, vetëm me ¼ e aksioneve, ndërsa për pjesën tjetër përgjegjëse është Federata Shqiptare e Futbollit.
Gjithsesi, problemi nuk mbetet vetëm tek fondet, por dhe tek burokracitë e vonesat që janë bërë për kalimin e kapitalit, pra stadiumit, nga shoqata e mëparshme që merret me administrimin e objekteve sportive, tek shoqata e sapokrijuar, “Kuqezi,” që do të merrej me ndërtimin e stadiumit të ri.
Top Channel