Irak, sulm ambasadës turke

18/01/2012 17:40

Ambasada turke në Bagdad është sulmuar me një raketë. Kështu bën të ditur CNN turk, që nënvizon se ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu ka telefonuar ambasadorin për t’u informuar mbi sulmin.

Nga ana e tij, ambasadori turk në Irak, Yunus Demirer ka thënë për agjencinë e lajmeve “Anadolu” se selia diplomatike është sulmuar nga tre raketa, edhe pse vetëm njëra e ka goditur.

Ende nuk dihet se kush e ka organizuar sulmin ndaj ambasadës, ndonëse dyshimet e para bien mbi kurdët në zonat kufitare mes Irakut dhe Turqisë.

Në fund të vitit të kaluar aviacioni ushtarak turk bëri një sulm në zonat në fjalë, duke vrarë 35 kurdë, të cilët u ngatërruan gabimisht për militantë.

Viktimat ishin kontrabandistë dhe nga fucitë që po transportonin u lokalizuan nga një avion i telekomanduar dhe shtabi turk mendoi se ata po përgatisnin një atentat.

Një ditë më vonë kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan reagoi duke deklaruar se ndiente keqardhje të thellë për sulmin ushtarak ajror, i cili ndodhi në fshatin Uludere, në pjesën irakene të kufirit.

Duke folur nga Stambolli, Erdogan e konsideroi incidentin si “një ngjarje tepër të trishtë dhe të pafat” dhe kërkoi një hetim të plotë për gabimin e aviacionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA