Web, dyfishohen adresat kombëtare

17/01/2012 08:25

Numri i adresave të internetit që përfundojnë me prapashtesën identifikuese të Shqipërisë .al arriti në 8 mijë në fund të vitit 2011 nga 4800 që ishin në fund të vitit 2010, njoftoi dje Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Sipas gazetës “Shqip”, rritja e shpejtë e domain-eve me prapashtesë kombëtare erdhi si pasojë e uljes së çmimit dhe heqjes së barrierave në përdorimin e këtyre adresave, të cilat, ndonëse nuk janë shumë të mira për motorët e kërkimit, parapëlqehen nga bizneset dhe individët si mënyrë identifikimi të kombësisë apo bazës së operimit.

“Ulja e ndjeshme e nivelit të pagesës vjetore të regjistrimit të domain dhe nën domain-eve në zonën ‘.al’ çon në renditjen e Shqipërisë në listën e vendeve me pagesa vjetore më të ulët për domain-eve në një vit”, – njoftoi AKEP.

Pagesa dyvjeçare për adresat e internetit me prapashtesë .com.al, .org.al apo thjesht .al, është aktualisht 2 mijë lekë (rreth 20 USD) e përafërt kjo me koston që kanë edhe adresat ndërkombëtare që mund të blihen në internet.

Në vitin 2009, AKEP lejoi për herë të parë edhe personat fizikë të regjistrojnë adresa shqiptare, të drejtë që më herët e kishin vetëm personat juridikë, bizneset, organizatat dhe institucionet publike.

Prapashtesa .al është kodi identifikues i Shqipërisë në internet i përcaktuar nga korporata e kodifikimit. Çdo shtet ka një kod dalje. Disa domain-e kanë përfituar nga rastësia për të bërë biznes.

I tillë është shteti i Tuvalu-s, një grup ishujsh me 12 mijë banorë, i rastisi që kodi i daljes në internet të përcaktohej .tv. Shteti i vogël arkëton rreth 2 milionë dollarë në vit nga shitja e përdorimit të adresave me këtë prapashtesë për televizionet në të katër anët e botës, pasi televizionet e shohin me leverdi identifikimin e aktivitetit të tyre përmes kësaj prapashtese.

Një pjesë e domain-eve të shitura me prapashtesën .al janë blerë kryesisht për qëllime tregtare dhe nuk janë shoqëruar me krijimin e faqeve përkatëse.

Kjo formë tregtie ka qenë e famshme gjatë viteve ‘90, por rëndësia e saj ra me zhvillimin e motorëve të kërkimit apo faqeve referuese të medias shoqërore, nga ku kalon shumica dërrmuese e vizitorëve të faqeve të ndryshme të internetit. Disa janë përdorur për të drejtuar trafikun në një faqe tjetër.

“Për shkak dhe të përshpejtimit të procedurave të regjistrimit, numri i domain-eve ka arritur në rreth 8000 në total në fund të vitit 2011 nga 4800 që rezultonin në fund të vitit 2010. Ndërkohë që nga viti 1995 kur është hapur shërbimi i regjistrimit deri në 2009, numri i tyre ishte vetëm 2800”, thuhet të njoftimin e AKEP.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA