Mësuesit e udhës së shkronjave

17/01/2012 00:00

Në rrugën e shkronjave shumë mësues shqiptarë ishin nisur për në vendet ish-jugosllave për të hapur shkolla me alfabetin shqip.

Nexhat Boriçi, nga Shkodra ishte nisur po ashtu me grupin e mësuesve të gjuhës dhe në vitin 1949 kishte arritur në Preshevë, tash në jug të Serbisë. Ai nuk ishte kthyer më në vendlindje dhe kishte ngelur aty duke krijuar familjen dhe tre fëmijë nga të cilët tash janë dhjetëra trashëgimtar.

Vëllezërit dhe motrat nuk do të takoheshin e në Shkodër Agroni, djali i mësuesit do të nisej për herë të parë në vitin 1991 për të bërë tablonë e familjes dhe kujtimin e saj bashkë. Në komunizëm me dekada ishin të huaj. Pa viza, mezi arrijnë në Shqipëri.

“12 vetë ishim 4 javë rresht në Shkodër, kanë qenë javët e mallëngjimit, javët e shfryrjes emocionale. Takuam të gjithë familjen, erdhën të gjithë që kishim dhe nuk mbaj mend se si kanë kaluar ato katër javë”, thotë Agron Boriçi, qytetar i Preshevës.

Familjen Boriçi në zonën e Luginës së Preshevës ende i quajnë si shkodran dhe ata tash kanë miq e familje, por fati i tyre ende është i arnuar dhe ndjejnë mungesën e vendlindjes që është e huaj.

“Mbesa ime e vogël, që e ka emrin Buna, kur e pyesin njerëzit nga je thotë; nga Shkodra. Ne kemi jetuar me Shkodrën edhe pse kur jemi në Presheve themi jemi shkodranë dhe kur jemi në Shkodër themi jemi nga Presheva”, thotë Agroni.

Mësuesit tani kanë mjaft shkolla e në Preshevë ende mësohet shqipja. Kufijtë e marrëzisë që ndanin njerëzit e familjes me grila të hekurta kanë ikur. Për Boriçët jeta e të parit të tyre është e rënde, por është e lehtë rruga deri në Shkodër.

Top Channel