Erion Dushku i shtohet “zborit” të De Biazit

17/01/2012 00:00

Ditët kur trajneri i ri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, do të nisë
zyrtarisht punën në krye të kuqezinjve, po rrjedhin shpejt dhe tekniku
italian më 21 janar do të veshë tutat për të drejtuar një minifazë
përgatitore me 22 futbollistë të përzgjedhur nga Kategoria Superiore.

Por duket se numri i tyre do të shtohet në 23. Këtij grumbullimi do t’i shtohet edhe Erjon Dushku, mbrojtësi i Tiranës.

Ky është lajmi më i fundit që mbërrin vetëm 5 ditë para nisjes së grumbullimit nga trajneri De Biazi. Sikurse është bërë e ditur nga burime të besueshme brenda FSHF-së, emri i mbrojtësit lezhjan të 24 herë kampionëve të vendit pritet të zyrtarizohet si pjesë e “zborit”. 26-vjeçari i repartit difensiv të Tiranës ka dhuruar një paraqitje të mirë në sezonet e fundit. Karrierën e tij në futbollin elitar e ka nisur me Kastriotin në vitin 2005. Aventura e tij te krutanët përfundoi në 2007, kohë kur kaloi në radhët e Teutës, ku u aktivizua deri në 2010. Më pas karriera e tij ka vazhduar te Tirana, ku është shndërruar në një lojtar të formacionit dhe po kontribuon në ecurinë e mirë të bardhebluve në këtë edicion. Për sa është mësuar, ai që ka kërkuar përfshirjen e Dushkut në listën e të grumbulluarve për “zborin” ka qenë pikërisht trajneri De Biazi. Me kërkesën e trajnerit të ri të Kombëtares, Xhani De Biazi lista do të zgjerohet në 25 futbollistë. Zbori do të zhvillohet në Shqipëri, në një fushë ende për t’u përcaktuar mes Tiranës dhe Durrësit. Ky do të jetë rasti i parë për trajnerin e ri të Kombëtares, italianin De Biazi që të vëzhgojë pak nga ajo që do e presë në punën e tij me Shqipërinë. Një pjesë modeste e përfaqësueses aktuale dhe shumë kandidatë të saj do të jenë në këtë stejxh stërvitor. Grumbullimi në fjalë është kërkuar nga vetë trajneri De Biazi. Drejtoria teknike e ekipeve kombëtare ka përpiluar gjithçka, në mënyrë që trajnerit të ri të Kombëtares t’i vihen në dispozicion lojtarët më të mirë të kampionatit tonë. Drejtoria në fjalë ka hartuar një listë prej 22 lojtarësh. Zbori që do të nisë më 21 janar do të zgjasë katër ditë. De Biazi dhe ndihmësit e tij do të zhvillojnë nga dy seanca në ditë, në përpjekje për të mësuar çdo detaj të mundshëm sa u përket lojtarëve të thirrur dhe për të përcaktuar rrjedhimisht edhe futbollistët për t’u vëzhguar edhe në të ardhmen. Trajneri ka sugjeruar që futbollistët e thirrur të jenë 25 (22 lojtarë, plus portierët) dhe ka kërkuar gjithashtu një shpërndarje më të mirë të lojtarëve në reparte. Lista e të përzgjedhurve përmban plot 12 mesfushorë, vetëm katër mbrojtës dhe tre sulmues. Pikërisht afrimi i Dushkut do ta çojë në 5 numrin e lojtarëve për repartin difensiv.

Top Channel