
Gjykata e Lartë në Pakistan akuzoi kryeministrin vendas, Jusuf Raza Gilani për përbuzje të këtij institucioni, duke lënë të kuptohet se ai mund të gjykohet.
Gjykata po shqyrtonte se cfarë duhet të bënte pas refuzimit të qeverisë për të rihapur dosjet e korrupsionit për presidentin e vendit dhe figura të tjera politike. Gjykata e Lartë i kërkoi kryeministrit Gilani që të paraqitet në gjyq në datën 19 janar, ndërsa mësohet se ai mund të vazhdojë të kryejë detyrën e tij edhe gjatë procedurave të gjykimit.
Procesi kundër korrupsionit po ndiqet më mjaft vëmendje në Pakistan, ndërsa tensionet shtohen për shkak të pasigurisë politike si pasojë e përballjes së vazhdueshme mes qeverisë dhe ushtrisë.
Në zemër të problemit është refuzimi i qeverisë për të respektuar urdhërin e Gjykatës Supreme për të anuluar amnistinë që mbronte zyrtarët e lartë të vendit nga hetimi për korrupsion. Afati i fundit që qeveria të hapte dosjet skadoi ditën e hënë.
Top Channel