18 ndeshje pa humbje, Juventusi i rekordeve

16/01/2012 00:00

Vendi i parë pa asnjë skuadër krah saj në renditjen e Serisë A, ka nxjerrë në dritë disa elementë kontradiktorë për Juventusin.

Skuadra bardhezi është mes favoriteve për fitimin e titullit kampion dhe trajneri Conte mund të krenohet me 18 ndeshje pa asnjë humbje. Por pavarësisht rekordit të thyer dhe parakalimit të Juventusit të viteve 1950, sulmi i Zonjës së Vjetër calon më shumë se më parë.

Nga 29 gola të shënuar në total nga Juventusi në Serinë A, vetëm 11 mbajnë vulën e sulmuesve. Është e vështirë që të gjesh një tjetër skuadër në vendin e parë në renditjen e kampionateve respektive dhe të gjesh kaq shumë ndalesa të paparashikueshme me skuadra të vogla, si Bologna, Genoa apo Cagliari.

Barazimi i së dielës për Juventusin ishte një rast i mirë për t’u arratisur, por mbeti vetëm në letër. Aktualisht Zonja e Vjetër është e para në renditjen e Serisë A me meritë porn ë 18 javët e para të kampionatit, Juventusi ka barazuar më shumë se asnjë tjetër: 8 herë skuadra torineze është ndaluar në vetëm 1 pikë, ndërsa 10 herët e tjera ka fituar.

Nisja e fundit e Serisë A me këtë ritëm të lartë pikësh nga ana e Juventusit daton në vitin 1950 kur në atë kohë në pankinë ishte trajneri anglez Jessy Carver, por ky i fundit u ndal në 17 ndeshje pa humbje, ndërsa Juventusi i Conte-s e ka kaluar me një ndeshje.

Top Channel