Itali, tragjedia në det, vazhdojnë kërkimet

15/01/2012 00:00

Një luftë me kohën ajo e forcave të shpëtimit që po punojnë në anijen turistike Costa Concordia e cila u mbyt natën e të premtes në afërsi të brigjeve të Toskanës.

Deri tani numri i personave të zhdukur është 38, dhe specialistë spereologë të zjarrfikësve po kontrollojnë çdonjërën prej 1.500 kabinave të anijes, e anuar gati tërësisht në njërin krah.

Kompania e lundrimit ka dhënë listën e kombësive të pasagjerëve në mes tyre rezultojnë edhe dy shtetas shqiptarë. Ka shumë mundesi që ata të jenë mes pasagjerëve që kanë dalë në kohë nga anija, sepse shumica e personave që rezultojnë të zhdukur janë anëtarë të ekuipazhit, kryesisht kinezë dhe filipinas që duket se ndodheshin në zonat e shërbimit si lavanderia.

Prokuroria e Grossetos ka hapur nje hetim dhe janë arrestuar kapiteni 52 vjeçar i anijes Francesco Schettino e oficeri i parë në sallën e komandës Ciro Ambrosio, me akuzën e vrasjeve pa paramendim, mbytje dhe braktisje të anijes në kohën që një numër i madh pasagjerësh ende nuk ishin shpëtuar.

Duket se kapiteni është larguar nga anija që në orën 11 të natës, ndërsa operacionet e evakuimit kanë vazhduar deri në orën gjashtë të mëngjesit.

As specialistët dhe as peshkatarët e zonës nuk shpjegojnë dot mbytjen e anijes, një manovër e gabuar apo një afrim i tepruar në breg për të parë më mirë ishullin.

E njerëzit e detit, që zakonisht janë shumë supersticiozë kujtojnë se anija ishte nisur ditën e premte më 13 janar, datë që konsiderohet ters. E kujtohet se kur ajo është inauguruar, shishja tradicionale e shampanjës që përplaset në bord për të sjellë mbarësi, nuk është thyer.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA