Zgjedhjet në Tajvan, “qetësojnë” SHBA e Kinën

14/01/2012 17:00

Zgjedhjet e fundit në Tajvan i dhanë fitoren minimale për një tjetër mandat, presidentit Ma Ying-jeou…dhe Kina e Shtetet e Bashkuara mund të marrin frymë lirisht.

Ma Ying-jeou fitoi ndaj kandidatit të opozitës, Tsai Ing-wen duke marrë 51.5 përqind të votave përkundër 45.7 të Tsai-wen.

Për Uashingtonin dhe Pekinin rëndësi ka fitorja Ying-jeou, jo rezultati. Shkak për këtë është se që të dyja superfuqitë, si ekonomike ashtu edhe ushtarake, i druheshin tensionimit të situatës në rajon në rast të ardhjes në pushtet të kandidatit opozitar.

Tsai-wen gjatë fushatës së tij kritikoi ashpër presidentin në fjalë për politikën e tij të jashtme, duke e akuzuar për “dobësi” përballë Kinës. Kina dhe Shtetet e Bashkuara, të interesuara tashmë të ruajnë ekuilibrat ekzistues në Azi, i trembeshin faktit se me Tsai-wen në pushtet, këto ekuilibra do të prisheshin.

Tajvani, dikur pjesë e Kinës, u shkëput nga pjesa kontinentale e Kinës në përfundim të Luftës Civile në vitin 1950, kur forcat komuniste detyruan partinë në pushtet të vendosej në ishull, ku shpalli dhe selinë e re të qeverisë dhe duke e quajtur grupin e ishujve “Republika e Kinës” (ndryshe nga Republika Popullore e Kinës, që quhet Kina kontinentale). Por për shkak të përplasjeve dhe kundërshtimit të Kinës komuniste, vendi njihet botërisht, thjesht si Tajvan.

Që prej asaj kohe, të dyja “qeveritë” pretendojnë legjitimitetin për të udhëhequr mbi popullin kinez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA