Presidenti amerikan Barack Obama u ka parashtruar një kërkesë republikanëve, duke i kërkuar Kongresit kompetenca për të reduktuar qeverinë federale.
Ai u tha liderëve të biznesit se dëshiron të mbyllë Departamentin e Thesarit dhe të shkrijë në një të vetme gjashtë agjenci.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se plani do të kursejë 3 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme dhe do të shkurtojë nga 1 mijë në 2 mijë vende pune përmes bashkimit.
Propozimi shihet si një përpjekje për të sheshuar kritikat e republikanëve se presidenti Obama ka një qeveri të madhe liberale.
Me zgjedhjet e përgjithshme në horizont, ende nuk dihet nëse kongresmenët republikanë do t’i garantojnë zotit Obama kompetencat për këtë riorganizim të pushteteve.
Autoriteti për të bërë ndryshime të tilla u përdor për herë të fundit kur presidenti Ronald Reagan ishte në pushtet.
Ligjvënësit amerikanë do të votojnë nëse t’ia mundësojnë zotit Obama atë brenda 90 ditëve të ardhshme, bëjnë të ditur mediat amerikane.
“Me këtë kompetencë, ne do të ndihmojmë rritjen e bizneseve, do t’u kursejmë atyre kohë, ndërsa taksapaguesve dollarë”, deklaroi Obama, teksa paraqiste planin në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti tha se propozimi i tij vjen pas diskutimeve të shumta që zgjasin prej muajsh me përfaqësuesit e bizneseve dhe liderët e agjencive.
“Nuk ka biznes që do të lejonte këtë lloj kompleksiteti të panevojshëm në operacionet e tij. Atëherë përse është OK në qeverinë tonë? Nuk është. Kjo duhet të ndryshojë”, theksoi Obama.
Top Channel