Deputetët e opozitës në Ukrainë kanë protestuar në Parlament kundër trajtimit jo të mirë mjekësor që sipas tyre i është bërë ish-kryeministres Yulia Tymoshenko në burg.
Gjithashtu, deputetët kanë protestuar kundër mosngritjes së një komisioni hetimor parlamentar që të hetojë mbi gjendjen shëndetësore të lideres së tyre, e cila pati probleme javën e kaluar.
Duke ngritur sloganin “Liri për Yulia”, ata kanë ngritur në sallë edhe një poster gjigand të Tymoshenko dhe e kanë quajtur dënimin e saj një operacion represioni politik.
Në fund të vitit të kaluar Gjykata e Apelit në Ukrainë konfirmoi dënimin e shkallës së parë për shtatë vjet burg për ish-kryeministren, duke hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes.
Në fund të dhjetorit, Departamenti amerikan i Shtetit kërkoi lirimin e lideres së opozitës ukrainase, duke i dërguar një mesazh të fortë qeverisë së Kievit.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkojnë autoriteteve të Kievit lirimin e Timoshenkos dhe t’i sigurojnë asaj të drejtën për të qenë pjesë e jetës politike në vend dhe t’i sigurojnë të drejtën e kandidimit në zgjedhjet e vitit 2012”, deklaroi zëdhënësi Mark Toner.
Nga ana e saj, Tymoshenko pretendon se vendimi dhe gjithë procesi gjyqësor ndaj saj janë një lojë politike e presidentit Viktor Yanukovich, arsye për të cilën i është drejtuar Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ndërsa në fillim të vitit, bashkëshorti i protagonistes së Revolucionit Portokalli, Oleksander Tymoshenko, kërkoi azil në Republikën Ceke, e cila i dha dritën jeshile.
Top Channel