Me Paton që do të qëndrojë përfundimisht tek Milani, tratativa për kalimin e Tevez në radhët e kuqezinjve është mbyllur përfundimisht.
Kjo bën që argjentinasi të ketë si mundësi të vetme transferimi Interin, zgjedhjen e tij të dytë të preferuar dhe presidenti Moratti ka konfirmuar interesin për të.
Megjithatë, pavarësisht se tashmë pista është e hapur, gjithçka do të varet nga derbi i ditës së dielë. Moratti është i gatshëm të paguajë 25 milionë euro plus bonuse, si dhe pagën tejet të lartë të lojtarit, vetëm nëse zikaltërit do të mundin “kushërinjtë” e tyre kryesues.
Një sukses i tillë do të bënte që Interi të vendosej për herë të parë në këtë sezon në një distancë të arsyeshme për të luftuar për titullin, në vetëm pesë pikë ndaj kampionëve në fuqi.
Megjithatë, në rast se do të jenë kuqezinjtë ata që do të dalin fitues nga kjo përballje, Moratti do të vendosë të mos e kryejë këtë shpenzim të tepruar, pasi është i bindur që vendi i tretë mund të arrihet edhe me grupin që ka.
Siç shkruan “La Gazzetta dello Sport”, nëse Milani fiton dhe shkëputet në 11 pikë, Interi do të heqë dorë zyrtarisht nga lufta për titull dhe do të përqendrohet në objektivin Champions. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë Moratti preferon që të ruajë fondet për merkaton e verës, ku mund të sigurojë goditje të tjera dhe me çmim më të ulët.
Megjithatë, ndërsa deri tani Interi kishte si kundërshtar të vetëm për Tevez, Milanin, në merkato është shtuar një faktor i ri, Paris SG, që ka gati një ofertë prej 30 milion eurosh.
Top Channel