Aktet “cnjerëzore” të ushtarëve amerikanë mbi kufomat e martirëve tanë të treguara së fundmi në një video tronditëse na bëjnë më të fortë.
Kështu kanë deklaruar guerrilasit talebanë, të cilët kanë theksuar se efektet e videos vetëm sa do të përforcojnë Luftën e Shenjtë dhe do të përshpejtojnë fundin e pushtimit.
“Njerëzit tanë janë bërë dëshmitarë dhe objekt i abuzimeve të përditshme, të krimeve të luftës dhe të aksioneve që bien ndesh me cdo normë etike dhe njerëzore”, thuhet në një komunikatë.
Në dokumentin në fjalë, talebanët nuk kanë folur për dialogun e hapur me amerikanët, që ka si synim dhënien fund të luftës 10-vjecare në Afganistan. Nga ana tjetër autoritetet amerikane njoftuan se kanë identifikuar katër ushtarët që denigruan trupat e pajetë të talebanëve, por nuk bënë publik emrat e tyre.
Në fillim të muajit talebanët njoftuan arritjen e një marrëveshjeje paraprake me Perëndimin për të hapur një zyrë politike në Katar.
Lajmi u konfirmua në një deklaratë për shtyp, ndërkohë që edhe presidenti afgan Hamid Karzai e mirëpriti atë.
“Për hir të një mirëkuptimi më të mirë me ndërkombëtarët, ne kemi arritur një marrëveshje paraprake për të pasur një zyrë politike në Katar”, thuhej në deklaratë.
Por tani, gjesti i ushtarëve amerikanë duket se do të vështirësojë vazhdimin e negociatave mes zyrtarëve amerikanë dhe përfaqësuesve të guerrilasve.
Ngjarja, e cila u kritikua nga vetë Uashingtoni, që e cilësoi si dicka që nuk ka lidhje me vlerat e marinsave, shkaktoi reagimin e ashpër të presidentit afgan, që e vlerësoi gjestin si një akt cnjerëzor.
Top Channel