Quelle horreur! Konkurrenti për kandidaturën republikane në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Mitt Romney është bërë objekt i një sulmi publicitar për shkak se ka folur frëngjisht.
Reklama, e lancuar nga rivali Newt Gingrich, kërkon të ngrejë paralele mes zotit Romney dhe një tjetër politikani nga Masacusets, John Kerry.
E titulluar “The French Connection”, reklama përmban një klip të Romney duke folur në gjuhën frënge kur drejtonte Lojrat Dimërore.
Republikanët po përgatiten për të qenë rivalë të fortë në sfidën me presidentin Barack Obama në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor.
Korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se sulmi publicitar është një përpjekje për ta portretizuar zotin Romney si një liberal tipik evropian.
E shoqëruar me një kolonë zanore franceze, reklama thotë se, “zoti Romney është një politikan i moderuar i Masacusets, që u largua nga Ronald Reagan”, presidenti i respektuar republikan.
Pasi qortoi ish-guvernatorin e Masacusets për mbështetjen e reformës në shëndetësi, abordet e financuara nga taksapaguesit dhe ngritjen e taksave, reklama përmban edhe goditjen finale.
“Mitt Romney do të thotë gjithcka për të fituar. Gjithcka. Dhe ashtu si John Kerry, ai flet frëngjisht”, thotë folësi i reklamës. Më pas vjen një klip me senatorin demokrat Kerry që thotë: “Laissez les bon temps rouler” dhe Romney që pason “Bonjour, je m’appelle Mitt Romney”.
Pamjet janë nga një video promocionale që Romney regjistroi kur ishte drejtor ekzekutiv për Lojërat Dimërore të vitit 2002 në Solt Lejk Siti, në Jutah të Shteteve të Bashkuara.
Por pavarësisht sulmit, Romney konsiderohet favorit për kandidaturën e republikanëve, pasi ashtu siç tregonin edhe sondazhet, ai u shpall fitues i zgjedhjeve paraprake të Nju Hempshër.
Para zgjedhjeve, për shkak të të qenit favorit, Romney u shënjestrua nga rivalët e tij në një debat që u kthye në përplasje të ashpra mes tyre.
Rreth një javë më parë, mediat ndërkombëtare e komentuan si “të degraduar” garën e republikanëve, për shkak të sharjeve dhe fyerjeve që u regjistruan në një debat tjetër.
Top Channel