Identifikohen marinsat e videos

13/01/2012 00:00

Katër marinsat protagonistë të videos denigruese me talebanët e vrarë në Afganistan, janë identifikuar që të gjithë nga hetuesit ushtarakë, dhe dy prej tyre janë marrë tashmë në pyetje.

Emrat e ushtarëve të përfshirë, që besohet të jenë snajperë të marinës, nuk janë bërë të ditur. Informacionet e vetme mbi ta për momentin kanë të bëjnë me vendin ku kanë shërbyer, provincën afgane të Helmandit si dhe fakti që vinin nga një bataljon me bazë në Camp Lejeune, të Karolinës së Veriut.

Videoja e publikuar online që tregonte ushtarët duke urinuar mbi trupat e pajetë të disa afganëve të vrarë, ka shkaktuar indinjatë si në Afganistan, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara ku zyrtarët i cilësuan pamjet “të neveritshme” dhe “cnjerëzore”. 

Gjatë një ndalese në Fort Bliss të Teksasit, Sekretari Amerikan i mbrojtjes Leon Panetta tha përpara personelit ushtarak se videoja mund të vërë në rrezik perspektivën e bisedimeve amerikano-afgane të paqes.

“Problemi është se filmime të tilla mund të keqpërdoren në mënyra nga më të ndryshmet, për të minuar atë që ne po përpiqemi të bëjmë në Afganistan e për të errësuar edhe mundësinë e pajtimit”, tha Leon Panetta.

Talebanët kanë dhënë sinjale se e dënojnë videon, por duke lënë njëkohësisht të kuptohet se publikimi i saj nuk do ta cënojë procesin politik.

Frika se pamjet do të shkaktonin reaksion aq të madh në Afganistan sa situata të shpërthente në protesta pas lutjeve të së premtes, deri tani është provuar e pabazë. Megjithatë, në Kabul mjaft njerëz e shohin këtë akt jo vetëm si mizor, por edhe si të dënueshëm nga të gjitha fetë.

Ende nuk është bërë e qartë se kush i hodhi pamjet në YouTube. ndonëse filmimet nuk janë verifikuar akoma, korespondentët e huaj thonë se ato duken të jenë autentike.

Shtetet e Bashkuara kanë 20.000 marinsë të dislokuar në Afganistan, kryesisht në provincat e Kandaharit dhe Helmandit, ndërsa në total numri i trupave ushtarakë të Shteteve të Bashkuara në terren llogaritet në 90.000.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA