Disidentët kryesorë të Birmanisë janë liruar nga burgu, në kuadër të një seri amnistish dhënë së fundmi nga autoritetet për të burgosurit politikë.
Mes personave të liruar ka veteranë nga protesta studentore e vitit 1988, murgj të përfshirë në demonstratat e vitit 2007 dhe aktivistë të minoriteteve etnike. Personazhi më i njohur është Min Ko Naing, lider i kryengritjes së dështuar të vitit 1988.
Televizioni shtetëror ka njoftuar se 651 të burgosur do të lirohen në kuadër të faljes së presidentit, por nuk ka saktësuar se sa prej tyre janë të burgosur politikë.
Në një deklaratë për shtyp të transmetuar në televizion, presidenti Thein Sein deklaroi se personat e liruar janë njerëz që mund të luajnë një rol konstruktiv në procesin politik.
Duke komentuar lirimin, sekretari i Jashtëm britanik, Ëilliam Hague tha: “Lirimi i të gjithë të burgosurve politikë është një kërkesë afatgjatë e komunitetit ndërkombëtar dhe unë e mirëpres këtë hap, si një tregues i mëtejshëm i qeverisë së Birmanisë në kryerjen e reformave”.
Korrespondentja e BBC në Azinë jug-lindore, Rachel Harvey thotë se mes emrave të personave të liruar janë ndër figurat më premtuese të politikës.
Duke parë pozicionin e tyre, ky mund të jetë lëshimi më i madh i shtetit në Birmani që deklaron se po lëviz drejt reformave, thotë Harvey.
Por disa disidentë që jetojnë në ekzil deklarojnë se testi real do të jetë se sa liri do të kenë personat e liruar për të vazhduar aktivitetet e tyre.
Më datë 1 prill në Birmani do të mbahen zgjedhjet parlamentare, të parat që nga largimi i pushtetit ushtarak, ku liderja e opozitës, Aung San Suu Kyi ka konfirmuar pjesëmarrjen për një vend në Parlament.
Më herët gjatë muajit, në një intervistë ekskluzive për BBC, Suu Kyi shprehu besimin se vendi i saj do të mbajë zgjedhje demokratike “gjatë jetës së saj”.
Top Channel