Vetëm dy ditë pasi u rikonfirmua dënimi me një vit heqje lirie për kreun e OMONIA-s në Korçë, Naum Disho është zhdukur.
Lajmin e raportuan të enjten burime policore, të cilat shtuan se ai është shpallur në kërkim. Ndërkohë, policia kufitare ka informuar se nuk ka asnjë të dhënë që shtetasi Disho të ketë kaluar kufirin për në Greqi ose në ndonjë shtet tjetër.
Kreu i organizatës që përfaqëson minoritetin grek në krahinën e Korçës, Naum Disho, ishte dënuar më parë me një vit burgim nga Gjykata e Faktit, për dhunimin e ndodhur në varret e fshatit Boboshticë.
Ai u la i lirë pas rikonfirmimit të dënimit nga apeli, deri në pritje të zbatimit të vendimit të shoqërimit të tij në burg. Së bashku me Dishon, ditën e martë, gjykata rikonfirmoi dënimet me gjashtë muaj burg me kusht edhe për dy punëtorët që ngritën kryqin dhe momorialin abuziv për ushtarët grek, një proces që dëmtoi shumë varre të tjerë dhe që nxorri eshtra dhjetëra-vjeçare në sipërfaqe.
Ndonëse kalimi ilegal i kufirit për në ndonjë vend fqinj është një prej pistave më të rrahura, policia nuk konfirmon zyrtarisht asnjë prej varianteve rreth zhdukjes së tij.
Ditën e mërkurë, OMONIA kishte reaguar nëpërmjet një deklarate, duke e konsideruar burgimin si politik dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Dishos.
Top Channel