Liga Arabe vendosi të shtyjë dërgimin e vëzhguesve të tjerë në Siri, ndërsa misioni i saj është ndeshur me vështirësi të reja.
Lëvizja vjen pasi 11 prej monitoruesve të Ligës u plagosën në një sulm të ndodhur në qytetin port të Latakias, më parë gjatë javës.
Një prej 165 vëzhguesve të Ligës e ka braktisur vullnetarisht misionin, duke e cilësuar atë si një “farsë”. Ai lëshoi akuza direkte ndaj drejtuesve të grupit, të cilët sipas tij, nuk janë duke raportuar drejt krizën humanitare që po dëshmojnë.
Katari, vendi i cili po udhëheq këtë mision, deklaroi se një përfundim pozitiv është i vështirë për t’u realizuar. “E kam të vështirë të parashikoj një përfundim pozitiv për misionin”, deklaroi Kryeministri Sheikh Hamad bin Jassim al-Thani.
Ndërkohë, një grupim aktivistësh me qendër në Nju Jork i bëri thirrje Ligës Arabe gjatë së enjtes që të ndërpresë misionin, në shenjë proteste ndaj autoriteteve siriane. Sipas këtij grupi, prezenca e vëzhguesve në vend vetëm sa vonon marrjen e masave serioze ndaj Sirisë, duke i dhënë kështu mundësi autoriteteve që të vazhdojnë vrasjet sistematike ndaj popullsisë së pambrojtur civile.
Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, numri i personave që kanë humbur jetën në konflikt që prej nisjes së tij në mars 2011, po i afrohet 6 mijë personave. Megjithatë, një shifër e tillë është e vështirë të verifikohet, nga pamundësia e mediave ndërkombëtare për të patur akses në vend.
Sipas Damaskut zyrtar, mbi dy mijë ushtarë janë vrarë, në luftën kundër “bandave dhe militantëve islamikë”.
Clinton: Fjalimi i Assad, cinik
Në një konferencë të përbashket për shtyp në Uashington me kryeministrin e Katarit, Hamad Bin Jasin Al-Thani, sekretarja amerikane e Shtetit e cilesoi cinik fjalimin e Presidentit të Sirisë, Bashar Al-Assad, i cili e shpjegoi situaten e trazuar të vendit të tij me një komplot ndërkombëtar.
Në fjalën e saj, Clinton vlerësoi misionin e Ligës Arabe, por theksoi se ai nuk mund të vazhdojë pafundësisht.
“Unë dëshiroj të vleresoj Ligën Arab që po deshmon lidership të vërtetë. Besoj se është e qarte si për Kryeministrin e Katarit, po ashtu dhe për mua, se misioni vëzhgues nuk duhet të vazhdojë pafundësisht. Nuk mund të lejojmë qe Assadi dhe regjimi i tij të mos ndëshkohen”, u shpreh Sekretarja Amerikane e Shtetit.
Hamad Bin Jasin Al-Thani mendon se rezultati i misionit të LigesArabe, zor se do te jetë pozitiv. “Nuk mund të parashikoj deri tani një mision të suksesshem. Shpresoj të jetë më datë 19, kur do të kemi një raport. Ai do të jetë shumë i rëndesishëm për të marrë vendimin e duhur”.
Mbi 5000 persona kanë humbur jetën në Siri, prej marsit të vitit të kaluar kur nisën protestat kunder regjimit në Siri. Qeveria thote se mes viktimave jane 2000 pjestarë të forcave të sigurisë.
Top Channel