Ambasadori SHBA në Tiranë Alexander Arvizu ka drekuar me kreun e opozitës për më shumë se tre orë në një prej lokaleve të Tiranës dhe që ndodhet fare pranë banesës së kryeministrit Berisha.
I pari ka mbërritur kreu socialist, Edi Rama, i pasuar disa minuta më vonë nga zoti Arvizu, që ishte i shoqëruar nga një zyrtare e Ambasadës Amerikane.
Në përfundim të drekës ambasadori Arvizu nuk ka pranuar të komentojë qëllimin e takimit. Rreth 30 minuta më vonë është larguar edhe shefi opozitës duke refuzuar edhe ai të flasë se cfarë kishte biseduar, në këtë takim të parë për 2012-n me ambasadorin Arvizu.
Rama është mjaftuar duke deklaruar “se gazetarëve nuk i shpëton asgjë”.
Kohëzgjatja e drekës sugjeron se ka qenë jashtë formatit të drekave protokollare e zhvilluar në një kohë kur kryefjala e politikës shqiptare është cështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, zhvillim që duket se nuk do ta lërë jashtë faktorin ndërkombëtar të akredituar në Tiranë.
Top Channel