Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, reagoi ashpër ndaj videoskandalit që ka tronditur ushtrinë amerikane, ku disa marinsa shfaqen duke urinuar mbi trupat e talibanëve të vrarë në Afganistan.
Talebanët gjithashtu e kanë cilësuar imazhet si “turpëruese”, edhe pse një drejtues i tyre konfirmoi se bisedimet për një marrëveshje paqe po vazhdojnë.
Video e publikuar ditën e enjte është dënuar ashpër edhe nga amerikanët, me Pentagonin që është distancuar nga veprimet e që ka pranuar se veprime të tilla bien ndesh me vlerat thelbësore të ushtrisë.
”Qeveria e Afganistanit është thellësisht e trazuar nga video që tregon se si ushtarët amerikanë përdhosin trupat e vrarë të tre shtetasve afganë. Ky është një akt jonjerëzor dhe i dënueshëm në mënyrën më të ashpër. Ne i kërkojmë në mënyrë ekspresive autoriteteve amerikane që të kryejnë hetimet e duhura dhe të aplikojnë dënimin më të ashpër ndaj pjestarëve të këtij akti të turpshëm”, shkruante Karzai në një komunikatë zyrtare.
Zëdhënësi i talebanëve, Qari Yousouf Ahmadi, deklaroi për BBC se nuk është hera e parë që amerikanët kryejnë akte të tilla “të përbindshme”. Megjithatë, ai theksoi se është në interesin e të gjithëve që bisedimet të vazhdojnë.
Top Channel