Japonia, reduktim naftës nga Irani

12/01/2012 00:00

Japonia do të ndërmarrë “hapa konkretë” për të reduktuar vartësinë e saj
të naftës nga Irani, ka njoftuar minishtri i Financave, Jun Azumi.

Komentet e Azumit erdhën pas një takimi me sekretarin amerikan të Thesarit, Timothy Geithner në Tokio.

Geithner po kërkon mbështetje nga Kina dhe Japonia për sanksione më të rrepta për të aplikuar ndaj industrisë iraniane të naftës, në mënyrë që të frenojë ambicjet bërthamore të Teheranit.

Ditën e mërkurë ai ngriti cështjen në fjalë me liderët kinezë në Pekin, por nuk mori të njëjtën mbështetje si në Japoni.

“Në pesë vitet e fundit ne kemi reduktuar naftën e importuar nga Irani. Ne dëshirojmë të ndërmarrim hapa konkretë për ta reduktuar më tej këtë import, që tani është në 10 për qind”, ka deklaruar Azumi.

Japonia është klienti i dytë më i madh i naftës iraniane dhe u ka bërë tashmë thirrje vendeve të Gjirit Arab që të rrisin eksportet e tyre për të mbushur ketë mungesë.

Furnizimet nevojiten jashtëzakonisht pasi Japonia po përdor gjithnjë e më shumë energjinë termale për të gjeneruar elektricitet, për shkak të krizës bërthamore në Fukushima. Nga ana tjetër, zoti Geithner mirëpriti përgjigjen e Japonisë.

“Ne po punojmë ngushtë me Evropën dhe Japoninë, si dhe me aleatët në të gjithë botën për të rritur presionin ndaj Iranit”, ka deklaruar sekretari i Thesarit.

“Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen që po na jep Japonia, duke u bashkuar me ne dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar për këtë objektiv të rëndësishëm strategjik”, ka shtuar ai.

Organziata e Kombeve të Bashkuara konfirmoi disa ditë më parë se Irani ka nisur procesin e pasurimit të uraniumit në një qendër të fortifikuar rëndë pranë qytetit të shenjtë të Komit.


Shtetet e Bashkuara reaguan
duke deklaruar se pasurimi i uraniumit nga Irani përbën një “përshkallëzim të mëtejshëm” të shkeljeve të vazhdueshme të rezolutave të OKB-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA