Vëzhguesi: Siria, katastrofë humanitare

11/01/2012 16:50

Një ish-vëzhgues i misionit të Ligës Arabe në Siri foli për një “katastrofë humanitare”, gjatë një interviste të transmetuar nga “Al-Jazeera” të mërkurën.

Anwar Malek u shpreh se dha dorëheqjen për shkak të asaj që pa me sytë e tij në vend, përfshi krime lufte të kryera nga forcat e sigurisë.

Ndërkohë, një gazetar francez mbeti i vrarë gjatë ditës në qytetin jugor të Homsit, pasi u godit nga një predhë ndërsa po raportonte një manifestim pro-qeveritar. Sulmi i mori jetën tetë personave të tjerë, ndërsa plagosi edhe bashkëpunëtorin e tij belg.

”Ajo që kam parë mund të quhet vetëm një katastrofë humanitare. Regjimi nuk është duke kryer vetëm krime lufte, por të gjitha llojet e krimeve të njohura kundër popullsisë së tij. Snajperët ndodhen kudo dhe qëllojnë mbi civilët. Njerëzit rrëmbehen në rrugë. Të burgosurit torturohen dhe ndryshe nag sa është thënë, asnjë nuk është liruar”, u shpreh ish-vëzhguesi.

”Disa prej antarëve të misionit dëshironin të mbanin marrëdhënie të mira me autoritetet siriane dhe e kanë mohuar prezencën e snajperave. Misioni ynë ishte një farsë. Damasku orkestroi dhe fabrikoi atë që dëshironte që ne të shihnim, në mënyrë që të pengohej Liga Arabe të merrte sanksione ndaj regjimit”, shtoi Malek.

Liga vendosi më parë gjatë javës të tërhiqte misionin e saj, pasi vëzhguesit u qëlluan në qytetin e Latakias.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, më shumë se 5 mijë civilë kanë humbur jetën në Siri, në përleshjet me forcat e sigurisë që prej nisjes së revoltave, në muajin maj. Nga ana e tij, Damasku flet për dy mijë ushtarë të vrarë, në përleshjet me “bandat dhe militantët islamikë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA