Vdes agjenti që shpëtoi Stalinin, Churchill e Roosevelt

11/01/2012 00:00

Vdiq në moshën 87-vjecare, Gevork Vartanian, ish-agjent i KGB-së në kohën e Bashkimit Sovjetik, i bërë i famshëm për zbulimin e atentatit të nazistëve kundër Stalinit, Churchill dhe Roosevelt.

Në vitin 1942, kur Lufta e Dytë Botërore ishte në kulmin e saj, Hitleri miratoi një plan, sipas të cilit udhëzonte agjentë të spiunazhit të ndërmerrin një operacion për kapjen ose vrasjen e Josef Stalin, Winston Churchill dhe Franklin Roosevelt.

Pas disa muajsh pune, agjentët gjermanë siguruan informacione për takimin e Stalin, Churchill dhe Roosevelt në Teheran ku do të bashkërëndonin veprimet kundër Hitlerit. Një grup prej 6 agjentësh, më të mirët e spiunazhit gjerman u ngarkuan me detyrën e kapjes ose vrasjes së tre lidërve botërorë, armiq të betuar të Hitlerit.

Por jo gjithcka shkoi ashtu sic ishte parashikuar nga gjermanët. Fillimisht në gjurmë të planit të tyre ra agjenti rus Nikolai Kuznetsov, i cili vepronte në Ukrainën e pushtuar nën maskimin e një oficeri nazist. Nga dokumentet që dolën më vonë, Kuznetsov shfrytëzoi një oficer të forcave SS në gjendje të dehur për të zbuluar planin, por jo detajet e tij.

Menjëherë pas sinjalizimit për planin gjerman që pritej të jetësohej gjatë konferencës së Teheranit në vitin 1943, agjentët rusë, amerikanë dhe britanikë u vunë në veprim. Gevork Andreevich Vartainian, 19-vjec ishte ndër agjentët rusë të rekrutuar në Teheran, nisur edhe nga fakti që babai i tij punoi më shumë se 23 vjet në Persi (sot Irani) si agjent i Bashkimit Sovjetik dhe e njihte mirë zonën.

Rusët, britanikët dhe amerikanët dinin vendin e sulmit, por jo datën. Vartanian u ngarkua me detyrën e rekrutimit të agjentëve të tjerë për të ndalur planin nazist. Ai mundi të rekrutojë një grup prej 7 agjentësh, bashkë me të cilët arriti të identifikojë bazën dhe emrat e agjentëve gjermanë. Por kundërspiunazhi nazist kuptoi se operacioni ishte zbuluar dhe u tërhoq prej tij.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Vartanian u nderua me medaljen “Hero i Bashkimit Sovjetik”. Identiteti i tij i vërtetë u mbajt i fshehur nga shërbimet sekrete ruse deri në vitin 2000, vit në të cilin iu njoh merita e plotë për zbulimin dhe parandalimin e planit nazist të 1943.

Top Channel