Kryeministri i Italisë, Mario Monti, deklaroi se reformat e dhimbshme që ka ndërmarrë vendi e kanë “kuruar sëmundjen” italiane, e cila tashmë nuk ka më rrezik të përhapet në vendet e tjera europiane.
Monti mbajti fjalimin e tij në Berlin, gjatë një takimi me Kancelaren Angela Merkel, e cila u shpreh se ka një respekt të madh për reformat e kryera nga Roma. Më parë, Kryeministri italian kishte paralajmëruar për protesta kundër BE-së dhe Gjermanisë, nëse përparimet e vendit të tij nuk do të njiheshin.
Monti, në krye të një qeverie teknokratësh që prej nëntorit, ndoqi dy vizitorë të tjerë të rëndësishëm në Berlin, Presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy dhe kreun e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde.
Sarkozy dhe Merkel do të vizitojnë të dy Romën në datën 20 janar. “Italianët kanë treguar një qëndrim shumë të pjekur. Ne nuk duam ndonjë shpërblim apo një medalje, por vetëm njohjen e faktit që tashmë nuk jemi më një burim i mundshëm i përhapjes së ndonjë sëmundjeje për Europën”, tha Monti përpara gazetarëve.
Nga ana e saj, Merkel shtoi se: “Shpejtësia dhe thellësia e reformave të kryera, kanë për të forcuar pozitat e Italisë, kanë për të përmirësuar perspektivën e saj ekonomike, ndërsa janë shndërruar në një shembull për shpejtësinë me të cilat janë zbatuar”.
Në një intervistë të mëparshme për “Die Welt”, Kancelarja pati vlerësuar mënyrën se si pranuan italianët protestat, pa protesta në rrugë dhe pa vonesat burokratike që kanë karakterizuar Romën në të shkuarën.
Top Channel