Takimi Chavez-Ahmadinexhad

11/01/2012 00:20

Lëvdata për njëri-tjetrin, batuta për Shtetet e Bashkuara, shaka me bombën atomike të Iranit dhe raketat e drejtuara nga Uashingtoni. Takimi i presidentit venezueljan, Hugo Chavez dhe homologut të tij iranian, Mahmud Ahmadinexhad nuk zhgënjeu pritshmëritë e atyre që prisnin spektakël.

Mes përqafimeve e shtrëngimit të duarve, ironia e dy liderëve ndaj Amerikës ishte e qartë.

“Për ne thonë se po prodhojmë bomba. Injorantët ndoshta do të pyesin veten cfarë po ndodh. Fatmirësisht njerëzit në Amerikën Latine janë syhapur dhe e shohin të vërtetën, këto vende i druhen zhvillimit tonë ekonomik dhe suksesit që kemi arritur kundër varfërisë, nuk e duan industrializimin tonë, nuk duan që ne të përparojmë”, tha Ahmadinexhad.

Pavarësisht distancën gjeografike, dy kundërshtarët e betuar të Shteteve të Bashkuara, njëkohësisht anëtarë të OPEK-ut i kanë forcuar së tëpermi marrëdhëniet mes tyre këto vitet e fundit, ndonëse projektet konkrete kanë mbetur më së shumti në letër.

Provokues dhe teatral, Chavez preku një nga pikat nevralgjike të politikës globale, duke thënë me shaka se një bombë ishte gati tashmë nën shkallët e pallatit te tij Miraflores.

Si për të sfiduar perëndimin, lideri venezueljan tha se lutej për shpirtin e liderit të ndjerë liban Muamar Gaddafi dhe i dërgoi një mesazh solidariteti presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad kundër atij që e quajti “agresion nga yankee-t”.

“Armatimet ushtarake tani janë kthyer nga Siria. Atë qeveri e drejton vëllai ynë Assad. Ai është miku ynë, ndaj duhet të ngremë zërin e të flasim në emër të tij, që të respektohet ashtu sic duhet respektuar sovraniteti i popullit sirian, i qeverisë siriane, dhe vetë pavarësia e atij vendi”, tha Hugo Chavez.

Pas turit në Amerikën Latine, Ahmadinexhad do të udhetojë drejt Kubës. Për presidentin iranian ky rrugëtim është një mundësi për marrëveshje të reja ekonomike dhe forcim të bashkëpunimit përballe sanksioneve të reja të perëndimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA