Rëndimin e situates në Siri e dëshmojne si raportet e aktivistëve, videot amatore, ashtu edhe informacionet për tetë të vrarë vetëm gjatë të mërkurës në qytetin e trazuar të Homsit.
Sipas disa raporteve në media, në mesin e viktimave është edhe një gazetar i huaj, Gilles Jacquier, reporter i Televizionit Francez “France 2”.
Lajmin e konfirmoi si televizioni në fjalë, ashtu edhe Ministria e Jashtme Franceze, që sqaroi se Jacquier kishte marrë për këtë rrugëtim një leje të posaçme nga qeveria siriane, diçka e rrallë kjo për reporterët perëndimorë.
25 persona të tjerë mbetën të plagosur pas sulmit me mortaja, të cilin shefi i diplomacisë franceze e cilësoi një “akt të neveritshëm” e kërkoi nisjen e menjëhershme të një hetimi.
“U takon autoriteteve siriane të garantojnë sigurinë e plotë të gazetarëve ndërkombetarë në territorin e tyre dhe të mbrojnë këtë të drejtë themelore, që është e drejta e informimit”, tha Ministri i Jashtëm Francez, Alain Juppe.
Gilles Jacquier është i pari gazetar i huaj i vrarë në Siri që prej fillimit të revoltave kundër regjimit të Bashar al-Assadit në muajin mars. Ai ka qenë një nga reporteret me në zë të “France 2” dhe ka mbuluar konfliktet në Irak, Afganistan, Kosovë e Izrael.
E ndërsa Bashar al-Assad dilte sot përpara mijëra mbështetësve të tij me deklaratat se vendi do të triumfojë mbi “komplotin” e huaj, që Presidenti Sirian fajëson për trazirat 10 mujore, një nga monitoruesit e Liges Arabe u largua nga misioni vëzhgues të cilin e cilesoi “nje farse“ dhe asgje me teper. “Qeveria siriane”, tha Anëar Malek, “ka fabrikuar pjesën më të madhe të dokumentave dhe te dhenave të shqyrtuara nga vëzhguesit e Liges”.
Ndërkohë, Qiproja njoftoi se një anije, që dyshohet se transporton tonelata municione për në Siri, është lejuar te largohet nga nje port i saj pasi ndryshoi destinacion. Anija u ankorua te marten ne port për shkak të kohës së keqe dhe njoftohet se kishte në bord 35 deri 60 ton municion.
Top Channel