Si të mos mjaftonte disfata e hidhur në derbin ndaj Mancester Junaitid në “FA Cup”, për trajnerin Roberto Mancini ka ardhur edhe një goditje nga Komisioni i Disiplinës.
Federata angleze e futbollit ka hedhur poshtë apelimin për kartonin e kuq të mbrojtësit Vinsent Kompani’, i cili do të mungojë për 4 ndeshjet e radhës së Mancester Sitin.
Kompani’ mori një karton të kuq direkt nga arbitri Kris Foi, për një ngritje të rrezikshme takash ndaj portugezit Nani, edhe pse pamjet treguan se nuk kishte kontakt mes tyre. Drejtuesit e Mancester Sitit kishin shpresuar në një reduktim të dënimit nga ana e Federatës. Por pavarësisht apelit, kjo gjë nuk ka ndodhur, dhe Sitizens do të luajnë pa kapitenin e tyre në 4 sfidat e ardhshme, duke nisur nga “Carling Cup” kundër Liverpulit.
Mbrojtësi belg do të mungojë gjithashtu në ndeshjen e kthimit ndaj “Reds”, si dhe në përballjet vendimtare në kampionat, kundër Totenhemit dhe Uiganit.
Ndërkohë trajneri Roberto Mancini, foli për tratativën më të bujshme të merkatos dimërore, atë mes Milanit dhe Karlos Tevez. “Mendoj se do të gjejmë një zgjidhje brenda fundit të këtij muaji edhe për faktin se është shumë e nevojshme për këtë futbollist. Ai nuk luan prej 4 muajsh dhe di që përvec Milanit, është interesuar edhe Interi”, tha Mancini.
Top Channel