Itali, produkte falso

11/01/2012 00:00

Italia mbetet gjithnjë sinonim i shijës, jo vetëm në të veshur, por edhe në tryezë. Produktet tipike si Parmiggiano Reggiano, Proshuta e Parmës, uthulla e vjetëruar e Modenës apo vera e kuqe e Toskanës, janë vetëm disa nga ato që bota i ka zili, por që jo gjithnjë janë origjinale.

Rreth një e treta e produkteve bujqësore e ushqimore të shitura në Itali dhe të eksportuara si mallra italiane, nuk janë të tillë. Investigimi më i fundit, i kryer nga gazeta “La Repubblica” është mbi vajin e ullirit.

Në Itali çdo pesë shishe vaj i këtij lloji, katër etiketohen si vaj italian, por në të vërtetë, me sa rezulton edhe nga kontrollet, nuk prodhohet me ullinj vendas, por me ato të sjellë nga Tunizia, Qiproja apo Greqia. Lëndë e parë që me sa duket nuk është cilësore deri sa nga analizat e fundit, 40% e vajrave që shiten nëpër supermarketet italiane kanë shije myku.

Por konsumatorët, aq më shumë në këto kohë krize, tërhiqen nga mallra me çmime aq të uleta, si për shembull vaji që kushton aq pak sa nuk mund të mbulohet as kostoja e vjeljes së ullinjve.

Por ndonjëherë falsifikimit ushqimor i del boja vetë, në kuptimin e plotë të fjalës. Rasti më i bujshëm është ai i djathit të njomë mocarelë, që në disa pika shitjeje kishte marre ngjyrë blu. Ndoshta për shkak të somatotropinës, një hormon që vjen nga Koreja, por i ndaluar në Europë, e që shton ndjeshëm prodhimin e qumeshtit.

Lista e produkteve të falsifikuara dhe të manipuluara do të ishte tepër e gjatë. E sipas një anketimi të kryer në fund të vitit të kaluar, ky është një shqetësim për 60% të konsumatorëve në Itali, të cilët i druhen rrjedhojave që mund të sjellin për shëndetin jo vetëm produktet e falsifikuara, por edhe ato të përgatitura me lëndë të para me cilësi të dobët e të rrezikshme për shëndetin.

Ndryshe është të shesësh një produkt si italian, edhe kur ai nuk është i tillë. Tjetër gjë rrezik sjell kur produkti manipulohet, duke i shtuar substanca që jo rrallë janë të dëmshme për shëndetin. Prandaj raporti i Shoqatës së Bujqve, ku llogaritet që përfitimet nga këto aktivitete të paligjshme të jenë rreth 12 miliardë e gjysme euro, flet për krime ushqimore të kryera nga agromafia.

Për të bllokuar këto veprimtari të paligjshme nuk mjaftojnë kontrollet tepër të rrepta që kryhen në Itali. Përveç të tjerave në vend ekziston një repart i posaçëm i karabinierëve prej 80 specialistësh, të cilët varen nga Ministria e Bujqësisë. Ata kontrollojnë në mënyrë të veçantë ushqimet që eksportohen, sepse me sa duket tregjet e huaja janë një minierë e vërtetë për të ashtuquajturën agromafia, prodhimet e së cilës secili prej nesh rrezikon t’i gjejë në pjatë.

Top Channel