Ish-kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanovic është shprehur kundër opsionit të ndarjes së Kosovës, pasi sipas tij një gjë e tillë do të kishte një efekt domino në rajon.
“Ndarja e Kosovës do të mund të hapte rrugët për zgjidhje të ngjashme edhe në vende të tjera të rajonit”, ka deklaruar Gjukanovic për gazetën “24 Orë”.
Duke komentuar pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, Gjukanovic ka vlerësuar se qeveria malazeze nuk u ka asnjë borxh shqiptarëve për shkak të referendumit dhe sepse ata sipas tij i gëzojnë të gjitha të drejtat.
“Në referendumin për pavarësinë e Malit të Zi, shqiptarët dhe qeveria malazeze kishin interesa të përbashkëta”, ka nënvizuar ish-kryeministri.
“Pakica shqiptare ka fituar atë që ka kërkuar me pavarësinë e Malit të Zi, që është një shtet që realizon nivelin e duhur të të drejtave të tyre”, ka shtuar ai.
Gjukanovic ka qenë kryeministër i Malit të Zi për tre mandate rresht, nga viti 1991 deri në 1998 dhe më pas president nga ky vit deri në 2002-shin.
Kur doli në skenën politike ai ishte aleat i Sllobodan Milloshevic, por më vonë ndryshoi politikë dhe përkrahu shkëputjen e Malit të Zi nga Jugosllavia. Gjatë qeverisjes së tij ai u përfol gjerësisht për përfshirje në kontrabandën ndërkombëtare të duhanit.
Gjithashtu, ai konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët e kriminelit famëkeq serb Darko Saric, të cilin thuhet se e ka ndihmuar për pastrimin e parave të fituarra nga trafiku i drogës.
Top Channel