Celtic, interes për Hamdi Salihin

11/01/2012 01:05

Ekipi skocez i Sëlltikut, i cili kryeson kampionatin skocez me 53 pikë dy pikë përpara Rejnxhërs, ka shprehur interes të madh për të blerë kartonin e sulmuesit të kombëtares shqiptare dhe të Rapidit të Vjenës Hamdi Salihi.

Gazetat më të mëdha skoceze shkruajnë se 27 vjecari i njohur si “bomberi” thuhet se është vlerësuar në shumën e gjysëm milionë stërlinave, ndërkohë që kontrata e tij me ekipin austriak skadon në fund të sezonit.

Rapidi është i përgatitur të pranojë ofertën e 500 mijë stërlinave përballë opsionit të largimit të Salihit në fund të sezonit si lojtar i lirë.

“Sëllitku është një klub me emër të madh dhe ky mund të jetë një hap i mirë në karrierën time”, është shprehur Salihi për gazetën austriake Kurier. “Por unë nuk di asgjë konkretisht. Marrëveshja do të duhet të kënaqë të gjitha palët përfshi edhe Rapidin”, ka deklaruar sulmuesi shqiptar.

Interesin e Sëllitikut e ka konfirmuar trajneri i ekipit Nill Lenën, i cili ka thënë se ka shanse që ai të vijë për provë në Skoci. “Ai është një opsion dhe është një lojtar i mirë dhe ne e dimë se cfarë është në gjendje të bëjë Salihi për klubin tonë”.

Hamdi Salihi ka shënuar 42 gola në 66 ndeshje me Rapidin e Vjenës. Po ashtu Salihi ka shënuar edhe kundër ekipit që e kërkon, Sëlltikut në dhjetor të 2009, kur skocezët barazuan 3-3 me Rapidin në Europa Ligë.

Nëse do të konkretizohet blerja e Salihit në merkaton e janarit në Skoci me kryesuesen e kampionatit skocez ai do të jetë i dyti futbollist shqiptar i kombëtares që do të luajë në Skoci pas Rudi Vatës, dhe që të dy nga qyteti i Shkodrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA