Parlamenti i Bullgarisë hodhi poshtë ditën e mërkurë një deklaratë që kërkonte njohjen e genocidit turk ndaj popullsisë armene.

Më parë, Turqia kishte paralajmëruar Sofjen për “pasoja serioze” në marrëdhëniet midis dy vendeve nëse deklarata do të miratohej. Në muajin dhjetor, Ankaraja reduktoi marrëdhëniet diplomatike me Francën, pasi parlamenti i këtij vendi njohu genocidin armen.

Sipas të dhënave historike armene, rreth 1,5 milion shtetas të kësaj kombësie, që jetonin në Perandorinë Osmane në periudhën e viteve 1915-17, u ekzekutuan prej turqve. Historiografia turke nuk e pranon këtë version dhe pretendon se vetëm 300 mijë armenë humbën jetën, pasi mbetën të përfshirë në zona luftimi midis Perandorisë Osmane dhe asaj Ruse, me të cilën ata bashkëpunuan.

Ishte partia e ekstremit të djathtë, “Ataka”, ajo që pati paraqitur përpara autoriteteve këtë kërkesë. Kjo ishte hera e pestë që kjo lëvizje paraqiste këtë nisëm në Parlamentin Bullgar.

“Të fshehësh pjesë të historisë vetëm sepse janë të këqija për demagogjinë e shtetit, është e turpshme”, u shpreh Volen Siderov, kryetari i partisë së vetëquajtur “patriotike”.

Lyutvi Mestan, një drejtues kryesor i partisë së minoritetit turk në Bullgari, theksoi se “parlamenti nuk është një institucion i ngarkuar me përcaktimin e të vërtetave historike”.

Aktualisht, një milionë shtetas me kombësi turke jetojnë në Bullgari, duke qenë pakica më e madhe në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA