Athina zyrtare po përgatit një taktikë të re në raport me Shkupin, në lidhje me kontestin e përbashkët për emrin kushtetues të Maqedonisë.
Sipas agjencisë së lajmeve “INA”, këtë e ka njoftuar historiani grek Evangelos Kofos, në një debat me temën “Hapat e mëtejshëm të Greqisë në raport me FYROM”, të mbajtur në Athinë.
Sipas Kofos, Greqia do të përdorë një taktikë të re pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që e penalizoi atë për shkeljes së Marrëveshjes së Përkohshme me Shkupin.
Taktika e re, sipas tij, është vetëm tërheqja nga Marrëveshja e Përkohshme, me të cilën i lejohej Maqedonisë anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare me emrin FYROM.
“Me rëndësi tani është që të heqim dorë nga marrëveshja e 95-ës dhe të fillojmë negociatat dypalëshe për një marrëveshje të re ndërshtetërore, të bazuar në një rezolutë të OKB-së”, ka theksuar Kofos.
Qeveria greke, në samitin e vitit 2008 në Bukuresht injoroi Marrëveshjen e Përkohshme me Maqedoninë duke bllokuar anëtarësimin e saj në Organizatën e Atlantikut të Veriut.
I dërguari i posacëm i OKB-së për cështjen e emrit, Metju Nimic ka organizuar mbajtjen e takimit të radhës mes negociatorëve grekë dhe atyre maqedonas.
Rreth një javë më parë zyra e shtypit e zotit Nimic bëri të ditur se takimi do të mbahet në datat 16 dhe 17 janar, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Vitin e kaluar, analisti i cështjeve të Ballkanit, Tim Judah u shpreh pesimist për zgjidhjen e cështjes së emrit brenda një kohe të shkurtër, për shkak të përqendrimit të qeverisë greke të kriza ekonomike.
Ndërsa kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski akuzoi Greqinë se nuk është e interesuar për të zgjidhur kontestin dypalësh.
Top Channel