“Zmbrapset” ekonomia gjermane

11/01/2012 15:35

Ekonomia gjermane pësoi një rënie prej 0,25% në tremujorin e fundit të vitit 2011, informoi Zyra Federale e Statistikave gjatë të mërkurës.

Në tërësi, ekonomia u rrit me 3% gjatë vitit të lënë pas, por për Berlinin është shqetësues tendenca e rënies. Pas një tremujori të parë shumë pozitiv, ekonomia ka ardhur në tkurrje në semestrat e tjerë, duke kaluar për herë të parë në recension në periudhën tetor-dhjetor.

Rënia ekonomike u shkaktua kryesisht për shkak të rënies së kërkesës në tregun vendas. Pavarësisht ngadalësimit, ekonomia më e madhe në Europë vazhdon të ketë një rendiment shumë më të mirë se ai i vendeve të tjera të mëdha perëndimore.

Ndonëse të dhënat zyrtare nuk janë publikuar ende, Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik vlerëson se rritja ekonomike në SHBA në 2011-n ka qenë prej 1,7%, ndjekur nga Franca me 1,6%, Britania e Madhe 0,9% dhe Italia e Spanja me 0,7%.

Eksportet, vazhdojnë të jenë pika e fortë e ekonomisë gjermane, e cila ka rritur numrin e mallrave të shitur në 2011-n me 8,2%. Megjithatë, kjo shifër është më e ulët se rritja e ndodhur në 2010-n, prej 13,7%.

Sipas ekspertëve, sfida e vërtetë për Berlinin tashmë do të jetë të ruajë këtë ritëm rritjeje edhe në vitin 2012-n, i paralajmëruar si më i keqi i krizës së Eurozonës. Vlerësime të mëparshme kanë parashikuar që rritja gjermane e këtij viti do të reduktohet në 1%, ndërsa shumë shtete të tjera europiane do të kalojnë në recension.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA