“Në kërkim të kujt”, seriali i ri i “TCH”

11/01/2012 18:20

Duke nisur nga data 29 janar, në “Top-Channel” nis transmetimi i një seriali fiksion, me regji të Gjergj Xhuvanit dhe i titulluar “Në kërkim të kujt”.

Monika Luboja dhe Gentian Hazizi, dy prej aktorëve kryesorë të trupës, midis të cilëve figurojnë emra të mëdhenj si të Ndriçim Xhepës, Reshat Arbanës, Luiza Xhuvanit, Niko Kangjerit dhe të tjerë, dëshmuan për përvojën e tyre në këtë serial prej dhjetë serish, prodhim i “TCH”.

“Çdo film ka emocionet e tij, ka detajet e tij. Jam shumë i kënaqur që në këtë bashkëpunim të dytë kam patur partner Ndriçim Xhepën, Margarita Xhepa, Elidon Finon apo Gjergj Xhuvanin. Në filmin e parë, ndonëse Gjergjin e kisha mik, nuk kisha punuar ndonjëherë me të dhe isha më i ngurtësuar”, shprehet Hazizi.

Nga ana e saj, për Lubonjën, kjo ishte hera e parë që punonte me regjizorin Xhuvani. “Hera e parë që punoja me regjizorin. E falenderoj se jam ndiere mirë nga mënyra e trajtimit që në fillim për veshjet, dhe deri në fund fare për figurën, kolegët… Me Çimin (Xhepën) jemi martuar disa herë në filma, është bashkëshorti im në serial, ndërsa Genti dashnori im (qesh)… “.

Si çdo prodhim televiziv, edhe “Në kërkim të kujt” ka prapaskenat e tij humoristike. “Ishte një ditë që duhet të hipja mbi motor dhe ndihesha shumë në siklet. Kisha veshur edhe një fustan të hollë dhe kisha ftohtë. Në provën e parë, më bien këpucët dhe kur zbres nga motori isha zbathur”, rrëfen Lubonja.

Në një rast tjetër, “fillova të ankohesha me qëllim për Gjergjin, duke thënë se sa strikt që ishte, se na nxorri shpirtin dhe se kërkonte shumë. Ne ishim brenda në makinë, por kishim mikrofonat me vete. Monika e harroi këtë dhe pranoi ato që thoja e i përsëriste, derisa sa erdhi Gjergji dhe e pyeti se çfarë kishte. Ai ishte me kufje dhe i dëgjonte të gjitha”, rrëfeu Hazizi.

Në film, Hazizi luan rolin e një manaxheri, i cili ka në dorë biznesin dhe administron të gjithë pasurinë. Gjatë tij, ai ngatërrohet në një marrëdhënie të ndërlikuar dashurie me pronaren e tij. Monika, e cila është pronarja, është një grua si “shumë të tjera”, e cila përpiqet të mbrojë veten, pasurinë dhe të ardhmen e saj.

“Në kërkim të kujt!” trajton historinë e një familjeje në Tiranë, në vitet e para të pluralizmit. Ashtu sikurse mijëra familje shqiptare, ajo bëhet viktimë e një plage të shoqërisë vendase, fajdet. Kjo dramë shkakton tronditje të thella brenda familjes, që e shtyjnë drejt krimit duke i çuar kështu personazhet të përballen me drejtësinë. Në total, janë 80 aktorët pjesë e kastit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA