Përcaktimi i vijës kufitare në terren midis Kosovës dhe Malit të Zi duhet të nisë në muajin maj dhe të përfundojë brenda vitit, informoi ditën e martë e përditshmja kosovare “Zëri”.
Procesi është shtyrë deri në 2012-n si pasojë e disa paqartësive në procedurë nga ana e qeverisë së Prishtinës, por të dyja palët janë tashmë të gatshme të shënojnë gjurmën tokësore, duke respektuar kufirin administrativ të vitit 1974.
“Çështja e demarkacionit, sipas parashikimeve pritet të nisë në muajin maj. Kjo është koha më e mirë e parashikuar për nisjen e kësaj procedure”, u shpreh një burim i “mirëinformuar” brenda Ministrisë së Brendshme.
Sipas të njëjtin burim, çështja është zvarritur deri tani kryesisht për shkak të problemeve që Prishtina pati në 2011-n në veriun e vendit, të cilat kanë thithur të gjithë përqendrimin e autoriteteve.
”Kosova dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie diplomatike tepër të ngrohta dhe presim që shënjimi i gjurmës në terren të realizohet në një kohë të shkurtër dhe pa probleme”, shtoi ai.
Kosova dhe Mali i Zi ndajnë midis tyre një vijë kufitare 78 kilometra të gjatë, shumica e të cilës është e vendosur në zona të thyera malore.
Top Channel