Valentino Rossi ka inauguruar në borë grumbullimin e skuadrave të kuqe italiane (Ducati dhe Ferrari) duke “ngrirë” shpresat e tifozëve në Madonna di Campiglio.
“Nuk dua të dal jashtë lufte pa nisur ende sezoni, por duhet të jemi realistë. Kemi një distancë prej 1.5 sekondash për të rekuperuar me vendin e parë. Fillimisht duhet të jemi në gjendje t’i afrohemi Honda-s dhe Yamaha-s e më pas të luftojmë për sukesin final”, tha nëntë herë kampioni i botës.
Gjithsesi, kampioni italian i motorëve sheh arsye për të qenë pozitiv për vitin 2012: “Vitin e kaluar kam pasur probleme me shpatullën, ndërsa tani jam në formë të plotë. Gjithashtu motori i këtij viti është krejtësisht i ri dhe kam shpresë që do na japë rezultate. Mezi po pres ta provoj.”
“Dua ta bëj të shpejtë Ducati-n para se të largohem nga Moto GP. Jam 32-vjeç dhe do më pëlqente një kontratë tjetër 2-vjeçare me skuderinë aktuale, më pas të shohim”, shtoi Doktori.
Top Channel