Policia meksikane ka gjetur 15 trupa të hedhur në një stacion karburanti në shtetin perëndimor të Mikoacanit.
Autoritetet lokale njoftojnë se tre të rinj janë mes të vdekurve dhe se të gjithë trupat e pajetë tregojnë shenja të torturave mizore.
Gjithashtu, mesazhe kërcënuese janë lënë në afërsi të trupave, duke treguar se vrasjet mund të jenë të lidhura me luftën mes karteleve të drogës.
Shteti i Mikoacanit është i përfshirë nga një betejë e ashpër mes kartelit La Familia dhe rivalëve të saj, që identifikohen si Kalorësit Templarë.
Trupat, të gjithë meshkuj, janë gjetur në orët e para të mëngjesit në një stacion karburanti në qytetin Zitakuaro.
Fillimisht autoritetet raportuan për 13 viktima, por më vonë Ministria e Brendshme tha se personat e vrarë ishin 15, të gjithë me shenja plumbi në kokë.
Mikoacani ka regjistruar një rritje të valës së kriminalitetit, për të cilën shkak konsiderohet shpërbërja e kartelit të plotfuqishëm të zonës, La Familia.
Autoritetet thonë se vrasja në vitin 2010 e liderit të saj, Nazario Moreno nga forcat e sigurisë e ka dobësuar tej mase grupimin.
Por analistët e krimit të organizuar vlerësojnë se Kalorësit Templarë, të cilët u shkëputën nga La Familia, kanë marrë nën kontroll shumë nga operacionet e kartelit dhe tani drejtojnë shumicën e prodhimit të metamfetaminës dhe trafikimin e saj në perëndim të Meksikës.
Lufta për kontrollin e narkotrafikut bëri që pak ditë më parë, në një burg të shtetit të Tamaulipas të shpërthente një përleshje, nga e cila mbetën 30 të vrarë.
Ndërsa në fund të muajit të kaluar autoritetet meksikane kapën financierin e kreut të kartelit të plotfuqishëm të Sinaloas, i konsideruar ndryshe si truri i organizatës.
Top Channel